E qartë është se Banka Qendrore Evropiane të enjten (21.07) rrit normat e interesit për herë të parë prej vitesh. Pyetja e vetme interesante është, se sa lart do të shkojnë ato?
Inflacioni në eurozonë në më shumë se tetë për qind, kursi i euros në nivelin e dollarit dhe një krizë qeveritare në Itali: Në këtë kontekst Këshilli i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) do të mblidhet këtë të enjte (21.07) për të vendosur për drejtimin e mëtejshëm të politikës monetare. Në mbledhjen e fundit të Këshillit në qershor presidentja e BQE Christine Lagarde njoftoi kthesën në normat e interesit, e cila do të ishte e para pas njëmbëdhjetë vjetësh. Normat bazë të interesit fillimisht pritet të rriten me 25 pikë bazë dhe më pas ndoshta me 50 pikë bazë në shtator. Në këtë mënyrë koha e normave negative të interesit do të përfundonte. Por shumë banka po reagojnë që tani. Vetëm në Gjermani gati 50 institucione financiare i kanë hequr plotësisht normat negative të interesit për depozitat e klientëve të tyre dhe ka të ngjarë që të tjera të pasojnë në javët në vazhdim.
BQE vjen e vonuar
Por sa shpejt do t`i ngrejë BQE normat e interesit, është pyetja interesante. “BQE është shumë vonë”, thotë Gertrud Traud, kryeekonomiste e Landesbank Hessen-Thüringen, Helaba. Duke pasur parasysh normën historikisht të lartë të inflacionit prej 8.6 për qind në eurozonë, ajo e quan situatën “të pasigurt”: “Bankat qendrore në të gjithë botën i kanë rritur normat e interesit, tani BQE duhet të tregojë se e merr seriozisht punën dhe lufton inflacionin e saj.”
Por ritmi dhe përmasa e normalizimit të politikës monetare janë të diskutueshme – edhe në Këshillin Drejtues të BQE. Madje presidenti i Bundesbank Joachim Nagel mund ta imagjinojë rritjen e normave bazë të interesit në gamën restriktive, gjë që do të frenonte në mënyrë aktive ekonominë. Nagel bën pjesë te përfaqësuesit e linjës së rreptë të politikës monetare (skifterët), ndërsa mbështetësit e një linje më të relaksuar (pëllumbat) paralajmërojnë nga rreziqet e një recesioni, sidomos si rezultat i luftës në Ukrainë. Edhe mes vëzhguesve kursi është i diskutueshëm.
Më shumë se 25 pikë bazë?
Kështu Karsten Junius, kryeekonomist në bankën zvicerane Safra Sarasin, është për një rritje të normës së interesit prej 50 pikësh bazë. Në këtë situatë BQE nuk do të duhet të përqendrohet më aq fort në njoftimet e saj, të ashtuquajturat forward guidance. Edhe nëse Banka Qendrore fillimisht ndërmerr vetëm një hap të vogël të normës së interesit. Është e rëndësishme, thotë Getrud Traud, që mbikëqyrësit monetarë të bëjnë të qartë se janë të gatshëm të vazhdojnë të rrisin normat e interesit pas shtatorit, në mënyrë që të përmbushin mandatin e tyre. Që të mbajnë inflacionin në nivelin dy për qind, në mënyrë që vlera e euros të mbetet e qendrueshme.
Megjithatë situata aktuale nuk është e lehtë për mbikqyrësit e euros. Nga njëra anë ata duhet të normalizojnë politikën monetare. Por nëse frenojnë shumë fort, mbysin ekonominë. “Në lidhje me çmimet e energjisë ata nuk mund të ndryshojnë gjithsesi asgjë”, shpjegon Martin Lück, kryeekonomist për Gjermaninë në menaxhuesin më të madh të aseteve në botë, Blackrock, “kështu që atëherë do të duhet të ulin çmimet për gjëra të tjera, mallra dhe shërbime.”
Sikur të mos ketë gaz
Edhe pa ndërhyrjen e BQE rreziku i recesionit do të rritet në radhë të parë, nëse Rusia ditën kur mblidhet Këshilli i BQE, nuk e hap sërish rubinetin e gazit pas kontrollit të mirëmbajtjes së gazsjellësit Nord Stream 1. „Normalizimi” i politikës monetare do të thotë sipas Lück, afrimi me “normën neutrale të interesit”, pra normën e interesit me të cilën ekonomia as nuk përshpejtohet dhe as ngadalësohet.” Megjithatë se ku ndodhet aktualisht ajo në zonën e euros, është e vështirë të përcaktohet.
BQE mund të ndodhet nën presion, edhe sepse diferenca e normave të interesit ndaj SHBA po zgjerohet. Pasi inflacioni atje arriti në 9.1 përqind në qershor, Rezerva Federale e SHBA ka të ngjarë të rrisë normat e interesit me 75 pikë bazë nga 1.5 aktuale në 1.75 përqind. Kjo vazhdon të ushtrojë presion mbi euron, që para disa ditësh kishte rënë në nivelin e dollarit amerikan.
Dhe së fundi tregjet financiare vështrojnë edhe nga Italia. Kriza qeveritare atje nuk e lehtëson situatën për BQE. Kryeministri Mario Draghi është ende në detyrë, por nuk dihet se sa do të vazhdojë kështu. Në tetor mund të ketë madje edhe zgjedhje të reja. Ata mund të çojnë në “turbulenca të konsiderueshme” në tregjet e obligacioneve qeveritare në eurozonë, nëse qeverinë e re do ta udhëheqin eurokritikët, dyshon Edgar Walk, kryeekonomist në Bankhaus Metzler. BQE ka shpallur një të ashtuquajtur instrument kundër fragmentimit. Përmes kësaj ajo dëshiron të zbusë paraprakisht turbulencat e mundshme në tregjet e obligacioneve qeveritare evropiane./DW