Fenomeni i tradhtisë financiare që po çon drejt ndarjes çiftet shqiptare! Partnerët mashtrojnë njëri-tjetrin për të ardhurat

Në të mirë dhe në të keq, derisa paraja të na ndajë! Duket si utopike, por fenomeni i tradhtisë financiare është i përhapur edhe në vendin tonë. Cilat janë kostot e këtij fenomeni?

Për F. ishte një ditë si gjithë të tjerat, në rutinën e përditshme në punën e tij. Gjersa një telefonatë, i prishi jo vetëm qetësinë e momentit, por të shumë ditëve më pas.

“Përshëndetje, ju telefonojmë nga Agjencia e Mbledhjes së Detyrimeve. Në pamundësi të kontaktit me bashkëshorten tuaj, gjetëm në sistem numrin tuaj. Na duhet t’ju informojmë se zonja ka më shumë se një vit pa shlyer asnjë këst të kartës së saj të kreditit dhe banka ka dërguar kartelën e saj për ndjekje nga ne….”

F.nuk ishte në dijeni të kartës së kreditit të bashkëshortes, aq më pak të shpenzimeve të kryera në fshehtësi dhe mungesës së përgjegjësisë për të shlyer detyrimet. Pasi mblodhi veten nga informacioni, çdo gjë tjetër që ndodhi më pas… u diskutua në seanca të gjata psikologjike dhe një fije peri i ndau nga divorci.

Në fakt, ekspertë të fushës ligjore e psikologjike pohojnë se vitet e fundit, në Shqipëri histori të tilla janë të shumta, gati krejt të zakonshme dhe ata që nuk i “përtypin” pabesitë financiare janë më tepër meshkujt.

Të gjithë i dimë historitë e tradhtisë së një bashkëshorti me tjetrin, por çfarë ndodh kur mashtrimi është financiar?

Pa përmendur lëndimin emocional, pasojat financiare nga pabesia e një partneri mund të jenë jashtëzakonisht të vështira për t’u rikuperuar.

Mund të jetë një kartë krediti e papaguar, një kredi, një shitje prone, apo borxhe nga sekrete si të qenët kumarxhi a përdorues droge. Të gjitha çojnë në cenimin e marrëdhënies bashkëshortore, deri në divorc.

Konfliktet financiare, një shkak për divorc

Sipas avokates Margarita Kola, numri i çështjeve të çuara në divorc për shkak të konflikteve financiare, sidomos fshehjes së informacioneve, është rritur vitet e fundit.

Pavarësisht se mungojnë statistika të mirëfillta, av. Kola thotë se rastet në rritje kanë qenë flagrante dhe se shpesh, janë vendime të pakthyeshme. Dikur më pak të kërkuara nga femrat, tashmë nuk ka diferencime gjinore për sa u përket vendimeve të tilla.

Shpesh, pabesia financiare, ose shkalla e saj, nuk zbulohet derisa një divorc është në proces dhe çiftet duhet t’i zbulojnë shpenzimet e tyre njëri-tjetrit. Kështu thotë avokatja, e cila shton se shumë njerëz nuk e kuptojnë se kjo është e panegociueshme dhe se fshehja e të ardhurave, në një moment a në një tjetër, do të dalë.

Shkenda Lila, detektive, pohon për “Monitor” se pas tradhtisë, arsyeja e dytë e rasteve më të shpeshta viteve të fundit, janë për zbulim shpenzimesh nga partnerët kryesisht, që nuk kanë besim ose kanë indicie për pabesi financiare nga bashkëshortët.

Znj. Lila u shpreh duke qeshur, se publikimi i listës së pagave ishte diçka negative për detektivët, duke qenë se edhe bashkëshortët morën informacionet që donin.

Të kontaktuar nga “Monitor”, oficerë kredie në dy institucione financiare për kredi të shpejta, pohuan se ka raste në rritje të marrjes së kredive të shumave që nuk tejkalon vlerën e 500 mijë lekë, për shkak të problematikave që përfshijnë fshehje të informacioneve financiare në familje.

Kujdes!

Nuk ka nevojë të kaloni në kontroll total: të grumbulloni financat dhe të ndiqni çdo hap të njëri-tjetrit. “Këshilloj që të ketë jo vetëm llogari të përgjithshme, por edhe personale – nëse besimi rikthehet, atëherë kjo është alternativa më e mirë. Nuk duhet të prisni që të lindin konflikte për të nisur një bisedë për paratë, por nuk duhet ta ndaloni atë kur problemet të zgjidhen”, – thotë psikologia Jonuzaj.

Kur nuk i tregon “kuletën” partnerit të jetës

Fshehja e informacioneve financiare mes një raporti mund të jetë një formë kontrolli, pasi një person kërkon të dominojë vendimet e marrëdhënies, duke fshehur informacionin kryesor.

Mund të jetë gjithashtu komunikim i dobët rreth parave, i ndërthurur me turpin e borxhit, duke gërryer besimin mes partnerëve.