Forcimi i të drejtave gjuhësore: Diskutime frymëzuese me të rinjtë në Bujanoc dhe Preshevë

Organizata The Future, në bashkëpunim me Zyrat për të rinj nga Bujanoci dhe Presheva, organizoi një diskutim publik të rëndësishëm me të rinjtë mbi të drejtat gjuhësore dhe përdorimin e gjuhës shqipe në shkrimin dhe jetën e përditshme. Ky aktivitet synonte të informonte dhe fuqizonte të rinjtë mbi të drejtat e tyre, me një fokus të veçantë në përdorimin e emrave në gjuhën shqipe.

Takimet u zhvilluan në Bujanoc dhe Preshevë, ku morën pjesë rreth 80 të rinj, të cilët patën mundësinë të shkëmbejnë ide, të mësojnë mbi të drejtat e tyre dhe të diskutojnë mbi sfidat e përditshme që lidhen me përdorimin e shqipes në institucione dhe dokumentacionin zyrtar.

Siç shihet nga fotografitë, diskutimet u mbajtën në një ambient të hapur dhe miqësor, duke krijuar një hapësirë të lirë për mendime dhe bashkëpunim. Të rinjtë treguan interes të madh për temën dhe u angazhuan në një debat të gjallë, duke ndarë përvoja dhe ide për forcimin e identitetit të tyre gjuhësor dhe kulturor.

Ky aktivitet është vetëm fillimi i një serie nismash që synojnë fuqizimin e brezave të rinj dhe avancimin e të drejtave të tyre gjuhësore.

The Future, me mbështetjen e projektit “Fuqizimi i të rinjve shqiptarë dhe përmirësimi i integrimit në shoqërinë serbe”, i zbatuar nga Iniciativat Qytetare @gradjanske dhe financuar nga @ukinserbia, po krijon mundësi për të rinjtë shqiptarë që të informohen dhe të angazhohen në përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri.

Këto takime janë një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe forcimit të komunitetit, duke promovuar bashkëpunimin dhe njohjen e të drejtave themelore gjuhësore!