Formimi i qeverisë së re në Serbi: Shumë fytyra të reja, por Daçiq e Mali mbeten në lojë

Njohësit e zhvillimeve politike në Serbi vlerësojnë se qeveria e re, e cila duhet të formohet deri më 18 prill në mesnatë, do të jetë më e vogël dhe më efikase, me emra të fuqishëm dhe me mbështetje të fuqishme politike. Sipas tyre, prioriteti kryesor i këtij kabineti do të jetë ulja e tensioneve në shoqëri.

Ata theksojnë se do të ishte befasuese nëse në përbërjen e qeverisë nuk do të ishin Ivica Daçiq, lider i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Siniša Mali, ministër aktual i Financave.

Bojan Klaçar, drejtor ekzekutiv i organizatës Cesid, deklaroi për gazetën Blic se qeveria e re me siguri do të përfshijë fytyra të reja, gjë që është në përputhje me praktikat e mëparshme dhe me paralajmërimet për zëvendësimin e gjysmës së ministrave aktualë.

“Në këtë kontekst shoqëror, interes i Partisë Progresive Serbe (SNS) është formimi i një qeverie që do të funksionojë si një lloj ‘qeverie kalimtare’, por e ndërtuar sipas vizionit të SNS. Qeveria e re duhet të fokusohet në zgjidhjen e krizave, uljen e tensioneve politike dhe sociale, realizimin e objektivave ekonomike dhe përparimin drejt integrimeve evropiane,” tha Klaçar.

Ai vlerëson se qeveria e re mund të ketë më pak ministri sesa ajo aktuale, e cila përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

“Qeveria mund të jetë më e vogël, por me emra të fortë, të aftë për të trajtuar sfida komplekse siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ata duhet të ofrojnë një platformë për dialog dhe të ndërtojnë ura komunikimi mes palëve,” shtoi Klaçar.

Kush ikën, kush mbetet?

Klaçar thotë se pritet përfshirja e shumë ekspertëve në përbërjen e re të qeverisë, por nuk përjashton as mundësinë që numri i ministrive të mbetet i njëjtë.

“Do të ishte befasuese nëse nuk do të kishte vend për figura si Ivica Daçiq dhe Siniša Mali, që kanë qenë pjesë e çdo kabineti të mëparshëm. Por nuk duhet përjashtuar as formimi i një qeverie ndryshe. Duhet pasur parasysh se kjo qeveri pritet të ketë mandat të kufizuar, pasi në fund të vitit 2026 pritet të fillojë fushata zgjedhore,” theksoi ai.

Kryeministri në detyrë i Serbisë, Miloš Vuçeviq, deklaroi se qeveria e re duhet të sjellë njerëz të rinj dhe energji të re për të stabilizuar vendin pas zhvillimeve të fundit, të punojë në rimëkëmbjen ekonomike dhe forcimin e shtetit, si dhe të nxisë një dialog shoqëror.

“Mendoj se do të shohim shumë fytyra të reja dhe forcë shtesë që do të sjellë optimizëm tek qytetarët e Serbisë. Unë jam për formimin e një qeverie të re – një qeverie të vërtetë serbe, jo një të ashtuquajtur kalimtare. Kjo nuk çon askund, por as zgjedhjet nuk mund të përjashtohen,” tha Vuçeviq.

Vuçiq: Tre ose katër kandidatë për kryeministër

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ekzistojnë tre ose katër kandidatë për postin e mandatarit dhe se për këtë do të bisedojë vetëm me partitë që janë të interesuara.“Kushdo që është i interesuar, do të bisedojmë. Nuk do të bëjmë cirk. Kam dëgjuar që kanë 3 ose 4 kandidatë,” deklaroi Vuçiq.

Sipas Klaçarit, kryeministri i ardhshëm mund të jetë një ekspert me një profil profesional të ndryshëm.

“Kur them ‘i ndryshëm’, nënkuptoj një profil profesionalisht të fortë, që ka besim nga të dyja palët. Vetëm një person i tillë mund të nxisë dialog, gjë që është e vështirë të arrihet nga politikanët me karrierë të gjatë,” u shpreh Klaçar, duke shtuar se sigurisht që do të ketë edhe ministra me përvojë politike.

Afati për formimin e qeverisë

Kuvendi i Serbisë më 19 mars konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Miloš Vuçeviq, dhe që nga 20 marsi ka nisur të rrjedhë afati ligjor prej 30 ditësh për formimin e qeverisë së re. Kjo nënkupton se deri më 18 prill Serbia duhet të ketë qeveri të re.

Formimi i saj është i mundur, pasi koalicioni rreth SNS-së ka shumicë absolute në Kuvendin me 250 deputetë dhe mund të formojë qeverinë me këtë përbërje aktuale. Nëse kjo ndodh, qeveria do të vazhdojë mandatin aktual deri në vitin 2028, kur skadon mandati i këtij përbërjeje parlamentare.

Në rast të dështimit për formimin e qeverisë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.