Fronti për Ndryshim në Bujanoc i jep përkrahje të plotë kryetarit të komunës Arbër Pajaziti për planin 10 pikësh

Përmes një kumtese “Fronti për Ndryshim” sot i ka dhënë përkrahje të plotë kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, në lidhje me takimet dhe deklaratat e fundit për planin dhjetë pikësh.
Ndër të tjera në këtë kumtesë theksohet se””Fronti për Ndryshim në Bujanoc i jep përkrahje të plotë kryetarit të komunës Arbër Pajaziti, për paraqitjen e tij reprezentative në të gjitha takimet, qoftë të nivelit kombëtar, shtetëror, ashtu edhe atij ndërkombëtar”.
Kjo është kumtesa e Frontit për Ndryshim në rrjetet sociale:
“Fronti për Ndryshim
Kumtesë
Fronti për Ndryshim në Bujanoc i jep përkrahje të plotë kryetarit të komunës Arbër Pajaziti, për paraqitjen e tij reprezentative në të gjitha takimet, qoftë të nivelit kombëtar, shtetëror, ashtu edhe atij ndërkombëtar.
Duke u bazuar në kompetencat e tij, Pajaziti ka të drejtë të paraqes dokumente me propozime, plane, vërejtje e sugjerime.
Legjitimiteti i tij dhe Frontit, si bartës i pushtetit lokal, buron nga vota e popullit e cila ishte shumë më e theksuar se e një pjese minore të opozitës e cila thirret në emër të shqiptarëve.
Për fat të keq, humbësit më të mëdhenj sot dëshirojnë të mbajnë autorësinë për gjoja gjithçka shqiptare në Luginë.
Aq më pak ata mund të jenë përfaqësues të shqiptarëve.
Sidomos jo ata të cilët nuk mund ti siguronin as 200 vota në një vendvotim pas 5 përsëritjesh.
Të cilëve nuk i mjaftonin as votuesit nga vendbanimet tjera.
Të tillët që merrnin poste nga Gjyqi i Nishit, e që i njejti dënonte me mijëra vjet burgim bashkëkombasit tanë për „terrorizëm“.
Nuk mund të jenë përfaqësues të shqiptarëve as marrësit e iniciativave nga Facebooku e as ata, që kur u jepet rasti të flasin, më tepër përmendin boshnjakët sesa popullin e vet.
Punët tona në Luginë, për fat të keq, kanë mbetur këtu ku janë sot, vetëm fal çiftit të „udhëheqësve“ fiktiv të shqiptarëve, patriotëve të ditës dhe pazareve në hotelet e Beogradit gjatë natës.
Shpresë e vetme për këtë vend është fakti se këtyre hijeve të zeza po i vie fundi”.
Bujanoc: 24.09.2025