Gërvalla: Ndërkombëtarët ta dënojnë qasjen armiqësore të Vuçiqit karshi Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi ditën e premte, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paraqiti disa kërkesa për Kosovën.

Ministrja Gërvalla ka kërkuar që ndërkombëtarët të dënojnë qasjen armiqësore të presidentit serb karshi Kosovës.

Gërvalla ka theksuar se “Vuçiqi gjatë konferencës së tij teatrale,  na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”, transmeton Telegrafi.
Ministrja ka përmendur disa nga urdhrat që kishte dhënë Vuçiqi për serbët në Kosovë.

1. Largimin e tyre nga funksionet në komunat veriore të Kosovës dhe më pas bojkotimin e zgjedhjeve lokale, të cilat i organizuam madje dy herë, vetëm e vetëm për të krijuar mundësinë e shprehjes së lirë të vullnetit politik të qytetarëve tanë në veri të vendit;

3. Largimin e detyrueshëm të gjyqtarëve, në kundërshtim me legjislacionin përkatës dhe shtytjen e tyre në aktivitete të dyshimta në interes të Serbisë;

4. Shtytjen, organizimin dhe financimin e grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në barrikadimin e rrugëve dhe akteve të tjera të dhunshme, përmes presionit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale;

Tutje, në reagim, ajo ka pohuar se Vuçiqi po kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, por duke mos treguar arsyet se pse serbët ishin larguar dhe kishin bojkotuar institucionet në Kosovë.

“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”.

Sipas ministres, Vuçiqi po synon përfitimi edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës

“Përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiçi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës. Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radojçiçit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal.

Në reagim, ministrja ka thënë se “Deklarata e tij për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës”.

“Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë.

Gërvalla ka ftuar ndërkombëtarët të reagojnë ndaj sjelljes dhe gjuhës agresive të Vuçiqit.

“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës”, potencoi ajo.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa. /Telegrafi/