Gërvalla: Policët e kidnapuar nuk janë malltretuar, por nuk iu është dhënë bukë mjaftueshëm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz ka thënë se policët e kidnapuar shqiptarë nga forcat serbe, nuk janë maltretuar por nuk iu është dhënë ushqim mjaftueshëm

Zëvëndëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz në një konferencë për media ka thënë se shefi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari i ka vizituar tre policët e kindnapuar gjatë ditës së sotme.

“Vizita është realizuar në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë ku tre oficerët e Kosovës janë duke u mbajtur që nga data 16 qershor. Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe aty secili prej oficerëve policorë ka përshkruar ngjarjen e rrëmbimit të tyre që nga momenti i kapjes deri tek dalja para prokurorit dhe gjykatësit të procedures paraprake në Gjykatën e Lartë të Kralevës më 16 qershor 2023 ”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla citon Jasharin se zyrtarët e kidnapuar kanë thënë se më 14 qershor 2023 rreth orës 12:30, duke ngrënë drekën janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Serbisë dhe të armatosur, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë futur në makinat e tyre.

“Disa nga pjesëtarët serbë kanë shtënë me armë në ajër. Fillimisht janë dërguar në Rashkë e pastaj në Beograd deri më 16 qershor. Ata nuk janë malltretuar, por nuk iu është dhënë bukë mjaftueshëm”, ka thënë Gërvalla.

Tutje Gërvalla ka shtuar se iu është thënë se mund të vizitohen nga familjarët e tyre të premtën, por kjo sipas saj nuk është e sigurtë.