Gjendet i vdekur një burrë në një motel të Vushtrrisë





“Vdekje të dyshimta” janë cilësuar vdekjet e personave në hotele dhe motele të vendit gjatë këtij viti e vitit të kaluar.

Shkaktari i këtyre rasteve shpeshherë është besuar të jetë përdorimi i barërave dhe ilaçeve që shërbejnë për ereksion pa përshkrimin e mjekut.

Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në fshatin Gracë të Vushtrrisë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, pasi një burrë u gjet pa shenja jete në motel, në orët e mbrëmjes.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa Policia është njoftuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes me ekipin mjekësor që kryen ekzaminimet vitale dhe u konstatua se viktima ka ndërruar jetë.

Posa janë kryer procedurat e nevojshme, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe trupi i pajetë i të ndjerit të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, për të zbardhur rrethanat në të cilat ka vdekur viktima.

Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, viktima nuk ka pasur shenja dhunë ne trupin e tij, por që procesi i hetimit pritet të zbardh në plotni atë që ka ndodhur brenda motelit.