Gjenerali i ushtrisë serbe nga Haga: Jam fajtor për gjenocidin, kam kryer krime të pafalshme

Ish-gjenerali i ushtrisë serbe të Bosnje-Hercegovinës, Radislav Krstiq, i cili u dënua me 35 vjet burg nga Tribunali i Hagës për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, kërkoi që gjykata e Kombeve të Bashkuara të publikojë letrën në të cilën ai pranon plotësisht përgjegjësinë për krimet e kryera dhe shprehet se është penduar.

Në faqen e internetit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT), pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), u publikua një parashtresë në të cilën avokati pro bono i Krstiqit, Vladimir Petroviq, paraqiti një kërkesë për lirimin e parakohshëm të klientit të tij, duke bashkëngjitur gjithashtu kërkesën e Krstiqit drejtuar gjykatës për ta bërë publike letrën e pendimit.

Pas vuajtjes së 26 viteve të dënimit, Krstiq fillimisht kërkoi lirimin e parakohshëm në vitin 2022, por refuzoi MICT, shkruan index.hr.

Në një kërkesë të re drejtuar gjykatës, avokati thekson se MICT tani duhet ta shqyrtojë sërish atë kërkesë, sidomos sepse Krstiq është i gatshëm të pranojë fajin dhe sinqeritetin e këtij pranimi dëshiron ta vërtetojë duke e bërë publike letrën në të cilën ai e shpjegon këtë.

“Emri im përmendet sepse kam ndihmuar dhe mbështetur gjenocidin, emri im përmendet sepse kam kryer një krim të paimagjinueshëm dhe të pafalshëm”, thuhet në letrën e Krstiqit, i cili në vitin 1995 ishte komandant i të ashtuquajturit Korpusi i Drinës i ushtrisë serbe të Bosnjës, anëtarët e së cilës morën pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e të burgosurve nga Srebrenica.

Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse lirohet para kohe, do të shkonte në Potoçare, ku janë varrosur mijëra viktima të gjenocidit, për t’u bërë homazhe dhe për të kërkuar falje nga familjet e tyre.

Ndryshe, Forcat e Ushtrisë së Republikës Serbe vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8000 burra dhe djem boshnjakë.

Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/