Gjermania me ligj që t’ua lehtësojë njerëzve ndërrimin e gjinisë

Qeveria gjermane të martën prezantoi një propozim për një ligj që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që ligjërisht ta ndryshojnë emrin dhe gjininë, duke i dhënë fund rregullave që kërkonin prej tyre të merrnin vlerësime prej ekspertëve dhe autorizimin e gjykatës.

Nën “ligjin për vetëpërcaktim”, të rriturit mund të ndërrojnë emrin dhe gjininë në një zyrë regjistrimi pa pasur nevojë për formalitete të tjera.

Ministra për Familjen, Lisa Paus, ka thënë se ky ligj shkon në mbrojtje kundër diskriminimit dhe për të drejtat e personave të komunitetit LGBTI+, raportoi AP.

“Në këtë mënyrë ne mund t’ua kthejmë dinjitetin atyre që kanë qenë të privuar nga ai për dekada”.

Ligji ekzistues i vitit 1981 u kërkon individëve që të marrin një vlerësim prej dy ekspertëve – mjekë – dhe një vendim gjykate për të ndërruar gjininë në dokumente zyrtare.

Propozimi i ri thotë se për fëmijët nën moshën 14 vjeç, kujdestarët ligjorë duhet të dorëzojnë deklaratën për ndryshimin, kurse adoleshentët 14 vjeç e më të mëdhenj mund ta dorëzojnë vetë këtë deklaratë – por duhet të përfshijë edhe mbështetjen e kujdestarëve të tyre./Sinjali