Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë se organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po vazhdon të legjitimojë spastrimin etnik dhe pasivizimin diskriminues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sinani ka bërë të ditur se “Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për rikthimin e adresës së tij”.
“Ky vendim, përveçse legjitimon një diskriminim të hapur dhe të padrejtë në lidhje me pasivizimin e adresave, dëshmon gjithashtu se Gjykata Kushtetuese po vepron kundër parimeve kushtetuese dhe synon të dekurajojë shqiptarët e Luginës në luftën e tyre për të drejtat dhe barazinë,” ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Më tej, Sinani ka theksuar se “rasti i Safet Demirit përfaqëson një shembull të qartë të diskriminimit që po përjetojnë shqiptarët nga ana e institucioneve serbe, por gjithashtu është një shembull se si nuk duhet të dorëzohemi përballë padrejtësive”.
“Kur Serbia, përmes institucioneve të saj të drejtësisë, vazhdon të ndjekë politikat e vjetra diskriminuese, shqiptarëve të Luginës u mbetet që të kërkojnë drejtësi në institucionet ndërkombëtare. Vetëm atje mund ta luftojmë diskriminimin dhe të sigurojmë drejtësi,” ka përfunduar Sinani.