Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka folur për prokurorin Jack Smith dhe arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se sa ishte në krye të SHBA-së, ish-presidenti Donald Trump, kishin negociuar katër marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, marrëveshja e fundit ishte e madhe dhe konsiderohej të bënte normalizimin ekonomik.
Grenell ka thënë se me Kosovën dhe Serbinë kishin diskutuar edhe për idenë e mundshme të heqjes së forcave të NATO-s nga Kosovë.
Ka shtuar se kishin bërë shumë progres në dialog, deri kur sipas tij, erdhi ekipi i presidentit Joe Biden i cili vendosi që evropianët të ishin në krye të dialogut.
“Kështu që për tre vjetet e fundit, evropianët janë përgjegjës dhe ajo që po shohim tani është kaos dhunë dhe luftë”, ka thënë ai.
Ka shtuar se një nga pikat të cilat po i negocionte ishte që t’i jepnin fund Gjykatës në Hagë, transmeton KOHA.
“Prokurori i mëparshëm, përpara Jack Smithit, tha se po i japin fund kësaj ndjekjeje. Ai thoshte se unë nuk padit askënd sepse kanë kaluar 20 vjet dhe nuk mund të dalë me një rast bindës për të paditur dikë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kishin vendosur që krimet serbe të gjykoheshin nga Gjykatat në Serbi dhe ato të Kosovës nga Gjykatat në Kosovë.
“Gjykatat në Serbi dhe në Kosovë po jepnin miliona e miliona dollarë për të trajnuar gjykatësit e prokurorët e tyre dhe ishte koha që ata të realizonin të drejtën e tyre dhe t’i jepnin fund kësaj gjykate ndërkombëtare ku Jack Smith ishte prokurori i Hagës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kishte vendosur të informojë Departamentin e Drejtësisë se palët do të binin dakord për t’i dhënë fund gjykatës së Hagës.
“Më 29 janar 2020 i lashë një mesazh drejtuesit të gjykatave ndërkombëtare dhe ai më thirri përsëri dhe ne folëm për t’i dhënë fund gjykatës dhe unë i thashë hej Bruce vetëm që ta dini se palët ranë dakord ta bënin këtë. Reagimi i tij ndaj ishte i pabesueshëm. Ai tha se nuk e di nëse mund ta bëjmë këtë, duke shtuar se duhet të i lajmërojnë avokatët amerikanë atje. Dhe unë thashë, shkoni dhe lajmëroni avokatët amerikanë, por dy palët kanë rënë dakord për këtë dhe ata do të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do ta arrijmë marrëveshje brenda disa muajsh, sepse ne po përfundojmë negociatat”, ka thënë ai.
Sipas tij, brenda disa muajsh kur presidenti i Serbisë ishte nisur për në Uashington DC për të përfunduar negociatat për këtë marrëveshje, Jack Smith shpalli një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës.
“Aktakuzë që ishte politike e 20 vjetëve më parë. Presidenti i Kosovës është ende në burg edhe tash pas tri vjetëve. Tri vjet burg për shkak se Jack Smith e paditi atë dhe unë jam mjaft i bindur se e vetmja arsye që presidenti i Kosovës u padit nga Jack Smith në Hagë është sepse nga departamenti i drejtësisë u informua se ne do t’i hiqnim nga puna, ne do të shpëtonim nga gjykata dhe të dyja palët në Kosovë dhe Serbi kishin rënë dakord ta bënin këtë. Unë i thashë se Shtetet e Bashkuara do ta çojnë këtë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, Smith e urren ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.