Hajnat futen në një banesë në Ferizaj përmes ballkonit, vjedhin stolitë e arit, mbi 10 ora dore e telefona

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një banesë në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, ku hajnat kanë vjedhur gjësende në vlerë prej mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i banesës, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur stoli të arit, telefona e ora të dorës, në vlerë të rreth 2 mijë e 500 eurove.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë depërtuar përmes ballkonit dhe kanë arritur të hyjnë në banesë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.