Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ngjarjeve të së premtes në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ai i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të jetë i kujdesshëm dhe të mos ndërmerr veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.
“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri. Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”, tha Haradinaj.
Gjatë ditës një numër i protestuesve serbë u grumbulluan rreth objekteve komunale të tri komunave veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Qëllimi i tyre ishte pengimi i kryetarëve të zgjedhur më 23 prill që të shkojnë në vendet e tyre të punës.
Për këtë shkak është dashur ndërhyrja e policisë./ Klankosova.tv