Grupi me bazë në SHBA njoftoi se kishte mbledhur prova që sugjeronin “krimin e luftës të transferimit të dhunshëm të popullatës civile”, duke e përshkruar atë si “një shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës dhe një krim sipas statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare“.
Duke bërë thirrje që politika e Izraelit për zhvendosjen e detyruar të hetohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, Human Rights Watch kërkoi gjithashtu sanksione kundër Izraelit duke përfshirë ndërprerjen e shitjeve të armëve.
Bëhet e ditur se raporti i grupit të shquar ndërkombëtar të të drejtave, i titulluar “Të pashpresë, të uritur dhe të rrethuar”: Zhvendosja e detyruar nga Izraeli i palestinezëve në Gaza, synon një nga politikat më të diskutueshme të Izraelit, e që është përdorimi i urdhrave të evakuimit, të cilat kanë nxitur zhvendosjen masive brenda Gazës.
Kjo ka çuar në zhvendosjen e më shumë se 90% të popullsisë – 1.9 milionë palestinezë – dhe shkatërrimin e gjerë të një pjese të madhe të vendit gjatë 13 muajve të fundit, shkruan the Guardian.
Parimet udhëzuese të OKB-së për zhvendosjen e brendshme thonë gjithashtu se, në të gjitha rrethanat, palët në konflikt duhet të “parandalojnë dhe shmangin kushtet që mund të çojnë në zhvendosjen e personave”.
Por, pavarësisht këtyre kushteve, Izraeli ka përdorur në mënyrë të përsëritur urdhrat e evakuimit – në Liban si dhe në Gaza – për të zhvendosur me forcë civilët edhe pse urdhrat e evakuimit nuk kanë status ligjor.
Ndërsa liderët izraelitë dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë justifikuar përdorimin e urdhrave të evakuimit, duke argumentuar se përdorimi i tyre demonstron mbrojtjen e civilëve në kohë lufte, grupi thotë se në vend të kësaj ata kanë dëmtuar palestinezët.
“Për shkak se grupet e armatosura palestineze po luftojnë, pretendojnë zyrtarët izraelitë, ushtria ka evakuuar civilët për t’i mundësuar asaj të shënjestrojë luftëtarët dhe të shkatërrojë infrastrukturën e grupeve, siç janë tunelet”, shton ai.
“Por në vend që të garantojnë sigurinë e civilëve, urdhrat e evakuimit kanë shkaktuar dëme të rënda”.
Sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli është nën një detyrim ligjor për të lehtësuar kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre në zonat ku armiqësitë kanë pushuar.
Në vend të kësaj, thonë raportet, Izraeli “i ka bërë zona të mëdha të Gazës të pabanueshme”, duke shkatërruar ose duke dëmtuar rëndë infrastrukturën civile, shkollat dhe institucionet fetare dhe kulturore.