Me miratimin e një ligji që i ndalon aktivitetin në Gaza agjencisë së OKB-së UNRWA, e cila ndihmon refugjatët palestinezë, Izraeli hodhi një hap që për kreun e Kombeve të Bashkuara do të ketë pasoja shkatërrimtare për territorin e gjunjëzuar nga konflikti.
“Një nismë e tillë do të ketë pasoja të tmerrshme. Nëse ky ligj vihet në jetë, ai do të dëmtojë jo vetëm zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, por edhe paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit në tërësi”, u shpreh Antonio Guterres.
Ligjvënësit që hartuan ligjin cituan ngritën pretendimin e përfshirjes së punonjësve të UNRWA-s në sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe faktin që punonjës të saj ishin anëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura. Ligji ka alarmuar jo vetëm OKB-në por edhe disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët druhen se kjo masë do të përkeqësojë më tej situatën e rëndë humanitare në Gazë, ku Izraeli lufton prej një viti kundër militantëve të Hamasit.
“Ne do të vazhdojmë ta nxisim qeverinë izraelite që ta ndalojë implementimin e këtij legjislacioni. I bëjmë thirrje që të mos e miratojë fare”, tha Matthew Miller, zëdhënës i DASH.
Parlamenti izraelit ka miratuar dy ligje që u ndalojnë autoriteteve shtetërore izraelite të kenë çdo kontakt me UNRWA, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë ndaj Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Mesme. Përveç kësaj, UNRWA duhet të ndalojë punën e saj në Izrael vitin e ardhshëm.
Kjo duhet të ndodhë brenda 90 ditëve nga publikimi i ligjit. Me këtë shfuqizohet marrëveshja e vitit 1967 midis Izraelit dhe agjencisë, e cila kishte lehtësuar aktivitetet e organizatës dhe shkëmbimet me autoritetet qeveritare izraelite. Arsyeja e ndalimit është se Izraeli akuzon anëtarët e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë se mes kësaj agjencie gjenden organizatorë të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendon megjithatë se ndihma humanitare në Gaza mund të vazhdojë edhe pa UNRWA-në. Organizata ka dhjetëra mijëra punonjës dhe ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për miliona palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri./Top Channel/