Ja kush do të jetë në publik në ndeshjen Serbi – Shqipëri në Leskovc

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka njoftuar zyrtarisht se për ndeshjen e shumëpërfolur mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” në Leskovc, nuk do të ketë bileta në shitje për publikun. Vendimi është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, rekomandimet e FIFA-s dhe konsultimet me UEFA-n, për shkak të nivelit të lartë të rrezikut që shoqëron këtë përballje.

Sipas komunikatës së FSS, në tribuna do të jenë të pranishëm vetëm:

-përfaqësues të federatave rajonale dhe klubeve,

-nxënës të shkollave të futbollit me prindër shoqërues,

-organizata profesionale dhe zyrtarë të futbollit,

-sponsorë dhe mysafirë zyrtarë të FSS,

-gazetarë të akredituar,

-ekipe mjekësore dhe teknike të angazhuara në organizim,

Të gjitha biletat do të jenë personale dhe të lidhura me dokument identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë), ndërsa në hyrjet e stadiumit do të zhvillohen kontrolle të rrepta sigurie sipas standardeve ndërkombëtare.

Ky regjim i veçantë vjen si pasojë e ngjarjeve të vitit 2014, kur ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre pas incidentit me flamurin kombëtar shqiptar dhe dhunës së tifozëve vendas.

Përfaqësuesja shqiptare atëherë u dënua administrativisht, duke humbur në mënyrë të padrejtë mundësinë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian “Euro 2016”.

Kësaj radhe, FIFA ka caktuar dy zyrtarë ndërkombëtarë të sigurisë për të mbikëqyrur ndeshjen në Leskovc, ndërsa është konfirmuar se nuk do të ketë tifozë shqiptarë në tribuna, në përputhje me masat e ndërmarra nga autoritetet serbe.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka kërkuar që të garantohet respektimi i plotë i standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe një ambient i qetë e sportiv, ku skuadra kuqezi të përqendrohet vetëm në lojë dhe të japë maksimumin për një rezultat pozitiv.