Deputeti Shaip Kamberi ka reaguar pas propozimit të Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi, ku ka shkruar se është një goditje e fortë pë shqiptarët “Propozimi i Demo Berišës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi”.
Kamberi ka theksuar se duhet reaguar për këtë dhe se nuk duhet që rasti të kaloj në heshtje as nga Lugina por edhe nga Kosova e Shqipëra “Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar.
Heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi”.
Ky është postimi i plotë i Kamberit në faqen e tij në facebook:
“Vuçiq sikurse Millosheviqi, “vazhdon me politikën e shqiptarëve të ndershëm”
Propozimi i Demo Berišës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Beriša nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Beriša është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë.
Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar.
Demo Beriša vetem mund te jete Faik Jašari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje. Faik Jašari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më.
Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislinge.
Ndërsa Demo Beriša, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jašarin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet – po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.
Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit.
Demo Beriša nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjerë në periudhën e Millosheviqit.
Propozimi i tij si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 përqind të popullatës së këtij shteti.
Ky propozim është i rrezikshëm sepse legalizon mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e tyre do të shndërrohet në një parodi të vetvetes.
Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar.
Heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi”.
Sot në parlamentin serb ka qenë i vetmi shqiptar i propozuar për Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Demo Berisha.