Deputeti Shaip Kamberi në shoqëri të kryetarit të KKSH-së Enkel Rexhepi dhe këshilltarin e PVD-së në Kuvendin Komunal Rahim Salihu kanë takuar Ambasadorin e Finlandës, Niklas Lindqvist.
Gjatë takimit është biseduar për marrëveshjet që janë arritur me Beogradin zyrtar dhe ndikimin e OSBE-së për respektimin e tyre.
“Nga Ambasadori kërkuam që ta njoftojë atë për problematikat tona dhe diskriminimin që po ushtrohet”, ka theksuar Kamberi.
Ky është njoftimi i Kamberit në rrjetet sociale:
“Në Beograd, sot, bashkë me Enkelin dhe Rahimin, në rezidencën e tij, gjatë një dreke pune, takuam Ambasadorin e Finlandës, Niklas Lindqvist.
Finlanda është kryesuese e OSBE-së këtë vit, ndërsa të gjitha marrëveshjet tona me Beogradin janë ndërmjetësuar nga OSBE-ja.
Pikërisht për këtë arsye, shtruam nevojën për një angazhim më të madh të Misionit të OSBE-së në Beograd, në mënyrë që të ndikojë tek autoritetet qendrore për respektimin e këtyre marrëveshjeve.
Të hënën, në Beograd, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, për vizitë do të jetë ministra e Jashtme e Finlandës. Nga Ambasadori kërkuam që ta njoftojë atë për problematikat tona dhe diskriminimin që po ushtrohet”.