Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në këtë vend, Ragmi Mustafi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit 2022, treguan se shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare.
Ndryshe nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh.
Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e mëparshëm, andaj edhe nuk dihej numri real i tyre.
Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.
Si arsye shtesë, përfaqësuesit e shqiptarëve përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit të Serbisë në zonën ku jetojnë ata.
Por, përfaqësuesit e shqiptarëve bënë thirrje për regjistrim në procesin që u organizua nga autoritetet e Serbisë, vitin e kaluar.
Mustafi thotë se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre.
“Në rastin e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, kjo nënkupton pjesëmarrjen e duhur të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përkatësisht përfaqësimin e tyre proporcional në polici, gjyqësor, arsim, shëndetësi, doganë, ndërmarrje publike… gjë që nuk po ndodh tani”, thotë Mustafi.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, ankohen për diskriminim, por autoritetet serbe e mohojnë një gjë të tillë.
Para fillimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, paralajmëroi për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ku edhe jeton numri më i madh i shqiptarëve./Express