Marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ka hyrë zyrtarisht në fuqi.
Lajmi është konfirmuar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve, përmes një Note Verbale të dërguar në Ambasadën e Kosovës në Abu Dhabi, transmeton albinfo.ch.
Kjo marrëveshje u lejon qytetarëve të të dyja vendeve që ta konvertojnë patentën e shoferit pa pasur nevojë për provime shtesë, as teorike dhe as praktike, në vendin pritës. Me këtë hap lehtësohet lëvizja dhe integrimi i qytetarëve në të dy shtetet.
Marrëveshja është nënshkruar më 4 dhjetor 2024 në Abu Dhabi, nga ministrat e Brendshëm të të dy vendeve: Xhelal Sveçla nga Kosova dhe Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan nga Emiratet.
Kjo është marrëveshja e dytë e rëndësishme mes dy vendeve, pas asaj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, e cila hyri në fuqi në janar të vitit 2024.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka shprehur mirënjohje për autoritetet e Emirateve për bashkëpunimin e tyre dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.