Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) sapo ka aktualizuar listën e vendeve me rrezik, Kosova është hequr, njofton albinfo.
Duhet cekur se në riaktualizimin e befasishëm që bëri BAG, heqja nga lista e karantinës hyn në fuqi qysh nesër, më 6 maj.
Kosova ishte vendosur në listën e rrezikut, të Zvicrës më 22 mars, krahas Maqedonisë së Veriut. Po në atë kohë nga kjo listë ishte hequr Shqipëria.
Me riaktualizimin e fundit, karantina është e detyrueshme për shumë shtete, regjione dhe bashkësi të shteteve.
Nga lista e re e vendeve me rrezik BAG ka fshirë, krahas Kosovës edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën, shkruan albinfo.ch.
Po kështu, hyrja në Zvicër nga shumë vende dhe rajone do të jetë e mundur përsëri nga e enjtja pa karantinë. Bëhet fjalë për shtetet dhe rajonet si vijojnë: Greqia, Republika Çeke, Ukraina dhe, në Itali, rajonet e Emilia Romagna, Toskana dhe Friuli / Venezia Giulia. Në Austri, nga lista janë hequr provincat e Carinthia, Vjenës, Austrisë së Poshtme dhe Burgenland.
Ndërkaq, duke filluar nga 17 maji, do të hynë në listën e karantinës të Zvicrës, shtetet dhe regjionet në vijim: rajoni italian i Bazilikatës, Kosta Rikës, Gjeorgjia, Irani, Kolumbia, Letonia, Maldivet dhe Mongolia.
Për udhëtarët nga këto vende zbatohen rregulla të rrepta pas mbërritjes në Zvicër . Ata duhet të tregojnë një test negativ të kurorës dhe të futen menjëherë në karantinë, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, duhet të plotësohet një formular hyrje, përveç nëse hyrja është berë nga një zonë kufitare.
BAG vendos në listën e karantinës ato vende që në dy javët e fundit kanë një incidencë të rasteve në 100 mijë banorë, për 60 raste më shumë se që ka Zvicra. Rrjedhimisht, i heq nga lista vendet që bien nën këtë incidencë.
Kosova aktualisht ka 127 raste për 100,000 banorë, një rënie prej 68% krahasuar me javën e mëparshme (gjendja, më 4 maj 2021). Ndërkohë, Zvicra ka rreth 140 raste në 100.000 banorë.