Programet e zhanrit ‘reality show’ që prodhohen dhe transmetohen në Kosovë do të mund të shikohen duke përdorur një kod.
Kështu parasheh Rregullorja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, e miratuar sot nga Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë.
Kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se ky rregull do të vlejë për të gjitha programet që hyjnë në këtë zhanër.
“KPM ka miratuar Rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve e cila ka një nen si masë mbrojtëse/ preventive për programet ‘reality show’ që me qenë të koduara, me pasë një kod të cilin e vendos prodhuesi. Do të vlejë për programet që ne kemi dhënë një përkufizim si ‘reality show’”- ka thënë ai për KALLXO.com
Mehmeti ka treguar pse është parë e arsyeshme që këto programe të jenë të koduara.
Ndërsa ka thënë se nga përvoja që ka KPM, në këto programe ka pasur paraqitje të dhunës, gjuhës vulgare e të tjera.
“Si bazë e kemi direktivën europiane që lejon rregullatorët të marrin masa me strikte për mbrojtjen e fëmijëve. E dyta Ligji i KPM-së ka disa nene që specifikojmë masat e duhura për mbrojtjen e fëmijëve. Dhe duke u nisur nga përvoja që kemi pasur me programet ‘reality show’ në Kosovë, ku kemi parë paraqitje të dhunës, gjuhës vulgare, nuditetit e të tjerë prandaj e kemi e parë të udhës të vendosim këtë nen”- ka thënë ai.
Mehmeti për KALLXO.com ka thënë se kodi do të vendoset nga prodhuesi i programit dhe se rregulli do të vlejë për programet që ose janë duke u prodhuar ose do të prodhohen në të ardhmen.Ai po ashtu ka thënë se pa marrë parasysh përdorimin e kodit, edhe për pjesën tjetër që transmetohet nëse është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e KPM-së do të vlejnë rregullat e njëjta.
“Ky rregull vlen edhe për programe që prodhohen diku tjetër e transmetohen në Kosovë”- ka thënë ai.
Muaj më parë, Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar disa ankesë në lidhje me programin televiziv ‘Big Brother’ që shfaqet në platformën “Artmotion”.
“Një prej ankesave ka qenë për ‘Big Brother’, se në orën 9:00 ka pasur fjalosje dhe promovim të cigares dhe tjetra ka pasur të bëjë me transmetimin e përmbledhjeve ditore ku është pretenduar për shkelje të Kodit të Etikës” – ka thënë gjatë mbledhjes kryeshefi i KPM-së Faruk Rexhaj.