Kosovë: Operacion i gjerë kundër bixhozit, 34 të arrestuar, mbyllen 15 lokale

Policia e Kosovës ka njoftuar se në një aksion të gjerë, të realizuar në Prishtinë ka arrestuar 34 persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.

Bëhet e ditur se 8 prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje e 28 janë liruar në procedurë të rregullt teksa thuhet se operacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25.04.2025, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të rajonit të Prishtinës.

 

Gjatë hetimeve thuhet se janë vëzhguar dhe verifikuar, 91 lokale të ndryshme, prej të cilave, në 60 prej tyre janë ndërmarrë kontrolle të detajuara, përcjell Spektri.

“15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunal për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave. Janë iniciuar 25 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.

“Përgjatë operacionit janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme edhe: 18 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtë, pajisje te laboratorit për kultivim, përpunim te substancave narkotike, para 5544.40 euro, 3 laptop, 2 printer për shtypje te tiketave, 3 aparate skenimi te tiketave, 16 telefona mobil të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive”, thuhet ndër të tjera në njoftim.