Kosovës i bëhet thirrje ta shfrytëzojë “mundësinë e re” në rrugën drejt BE-së

Ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropianë në Prishtinë i kanë bërë thirrje Kosovës t’i “bëjë detyrat” dhe ta shfrytëzojë “mundësinë e re” në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

Ndër detyrat kryesore për të mbesin dialogu me shtetin fqinj Serbinë, e në veçanti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas tyre.

Duke folur në konferencë në Prishtinë, e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav, ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe ai francez Olivier Guerot thanë se Kosova tani ka një “dritare të hapur” në rrugën e saj drejt BE-së.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Kallas në Prishtinë: Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi

“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv”, theksoi Orav në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ai shtoi se BE-ja ka “nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Ambasadori gjerman Rohde tha se tani që BE-ja ka një përbërje të re – me Kaja Kallas si kryediplomate e bllokut, dhe Antonio Costa kryetar i Këshillit Evropian – Kosova duhet të punojë për t’i përmbushur kushtet për anëtarësim.

“Kemi një përbërje të re në BE tani, shfrytëzojeni rastin e keni një dritare të hapur. Lutja ime përsëri është bëjeni detyrat dhe shfrytëzojeni këtë rast dhe këtë e filloni duke formuar institucionet e reja”, tha Rohde.

Rohde tha se Kosova nuk duhet të shikojë gjithmonë çfarë bën fqinji i saj, por duhet t’i “bëjë detyrat” e veta.

“Mendoj se kemi nevojë edhe për mendësi ndryshe. Dje fola me një anëtar të qeverisë në detyrë, dhe i thashë se ka shumë çështje në lidhje me anëtarësimin në BE, ndër to dhe çështja e përftimit [të politikave] për vizat. Ai më tha se Serbia nuk e bën, nuk e bëjmë as ne” tha Rohde, duke shtuar se “kjo nuk është serioze”.

Ambasadori francez Guerot u bëri jehonë komenteve të Rohdes, duke thënë se Kosova ka tani një mundësi të re për anëtarësim në BE.

“Në të kaluarën ka pasur këso mundësi që nuk u shfrytëzuan dhe tani është edhe një tjetër e cila nuk do të vijë më. Nevojitet vullnet politikë nga të gjithë në Kosovë, nga qeveria në largim, apo në detyrë apo në ardhje, dhe nga opozita. Për të mos e humbur këtë mundësi duhet dialogu i Brukselit me Serbinë dhe reformat”, tha Guerot.

Ai theksoi se Kosova nuk është e izoluar, “përveç nëse e izolon veten”.