Kryeministri Edi Rama: Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ishte në Prishtinë për t’u martuar me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa shtoi se me të nuk ka asnjë problem personal apo institucional, por thjesht një pikëpamje të ndryshme për një çështje.

Duke folur në konferencë për media nga Podogorica pas takimit me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Rama ka thënë se Kurti po e sheh një situatë që mund ta zgjidhë pa u takuar me të.

Kryeministri i Shqipërisë vizitoi dje Kosovën. U takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca. Pavarësisht përpjekjeve, takimi me Kurtin nuk ndodhi.

Rama konfirmoi se do ta ftojë Kurtin në samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiran.

“Ne thjesht kemi pikëpamje të ndryshme për një situatë. Ai e sheh si një situatë që duhet ta zgjidhë pa u takuar me mua. Unë thashë që ne do ta ftojmë gjithmonë Kurtin në Tiranë për takimet për Procesin e Berlinit”, ka thënë Rama.

Edhe Abazoviq u shpreh se asnjë konflikt, veçanërisht në rajon, nuk është i mirë.

“Është harxhuar shumë kohë për të dalë me një propozim dhe mendoj se do të ishte mirë që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë marrëveshjen”, ka thënë ai.

Sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, Rama u përgjigj se kjo nismë rajonale nuk është kompania e tij private. Përsëriti se nisma e ka kryer funksionin e vet.

“Është një nismë e përbashkët dhe do ta rihapja një mijë herë dhe do ta quaja sërish Ballkani i Hapur”, theksoi ai, duke vlerësuar se nisma “e përmbushi misionin e saj”.

“Ka pasur shumë teori konspirative kundër Ballkanit të Hapur – se është një plan kinezo-rus, se (kryeministri hungarez Viktor) Orban është gjithashtu i përfshirë, se janë përfshirë edhe faktorë të tjerë të huaj… Kjo ndikoi edhe në Procesin e Berlinit dhe ne duhet t’i përkushtohemi Procesit të Berlinit. Shqipëria është mikpritëse e samitit dhe prandaj nuk duhet të lejojmë që të shpërqendrohemi”, theksoi Rama.

Ai ka thënë se pjesërisht pajtohet me Abazoviqin kur bëhet fjalë për “situata absurde si kjo në veri të Kosovës”.

“Ne jemi ekonomi të vogla dhe jemi më larg nga BE-ja kur jemi të ndarë sesa kur jemi bashkë. Edhe pse flasim gjuhë të ndryshme, ndajmë të njëjtën klimë dhe të njëjtin mentalitet”, ka shtuar Rama.