Nga sot, 3 prill, hyjnë në fuqi gjobat më të ashpra për kundërvajtësit në trafik. Ligji për trafikun rrugor parasheh dënime më të ashpra për shoferët dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Përderisa gjoba për rripin e sigurisë deri tash ka qenë 40 euro, nga sot ajo është 150.
Përdorimi i telefonit, si një prej kundërvajtjet më të shpeshta sipas Policisë, tani gjobitet me 100 euro dhe një pikë negative kur shoferi kapet për herë të parë, ndërsa për herën e dytë gjoba është 200 euro dhe tre muaj ndalim të drejtimit të veturës e dy pikë negative. Po që se ndodh edhe hera e tretë, shoferi gjobitet me 500 euro dhe i ndalohet ngasja e veturës për gjashtë muaj e i vendosen tri pikë negative.
Ashpërsim të gjobave parashihet të ketë edhe për mosregjistrim të automjeteve. Deri në 30 ditë vonesë për regjistrim, gjoba është 200 euro për shoferin, ndërsa po që se kalohet kjo periudhë përveç gjobës, do të konfiskohet edhe automjeti.
Për tejkalim të shpejtësisë brenda vendbanimit, gjoba më e vogël është 20 euro e më e larta 500. Ka masa edhe për ndalim të drejtimit të veturës e vendosje të pikëve negative.
Ndërkohë që mosvendosja e helmetës nga ngasësit e mjeteve motorike me dy rrota nga 20 euro sa ka qenë me ligjin e vjetër është bërë në 100 euro në ligjin e ri.
Polici Ekrem Jashari, i cili të mërkurën ka qenë pjesë e një ekipi të policisë që ka zhvilluar kontrolle në kryeqytet ka thënë se me Ligjin e ri është rregulluar edhe çështja e trotineteve elektrike.
“Me ligjin e vjetër nuk ka qenë e rregulluar ngasja e trotinetit, me Ligjin e ri personave nën 16 vjeç u ndalohet ngasja e trotinetit elektrik, duhet të bartet helmeta gjatë vozitjes së trotinetit obligohet bartja e helmetës, nuk lejohen dy persona në trotinet”, është shprehur Jashari, në një intervistë në emisionin “Sot” në KTV.
Ai gjithashtu ka thënë se gjobat janë ashpërsuar edhe për këmbësorë.
“Gjobat janë ashpërsuar edhe për këmbësorë, deri tani gjoba për kalim të rrugës jashtë vendkalimit për këmbësorë ka qenë 20 euro, tash është 50 euro”, ka theksuar Jashari.