Kurti: Deeskalimi në veri ka ndodhur, Kosova po e respekton marrëveshjen e Bratislavës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të hënën në Athinë ku ishte pjesëmarrës bashkë me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së, u riafirmua një zotim i dhënë para 20 viteve në Selanik për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai tregoi se me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, darkuan me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe të kryeministrave të Kroacisë, Rumanisë e Bullgarisë, dhe me pjesëmarrjen e Moldavisë dhe Ukrainës.

“Presidenti i Ukrainës, Volodymys Zelensky, ishte pjesëmarrës në këtë takim me Ballkanin Perëndimor me ç’rast nxorëm një deklaratë të përbashkët. Kjo deklaratë bën thirrje për mbështetje të palëkundur për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësinë ndaj kryerësve të krimeve”, tha ai të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se në darkën e përbashkët që patën ka theksuar që anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë.

“Për fqinjësi të mirë e demokratike e evropiane, është e domosdoshme njohja reciproke, de juro e de fakto , si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, shtoi ai.

“Në takimet bilaterale me kryeministrin e Greqisë, presidenten e Komisionit të Evropian dhe kryeministrin e Kroacisë, theksova progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, si edhe rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë”, tha ai.

Sipas tij, deeskalimi në katër komunat veriore të vendit praktikisht ka ndodhur.

“Kosova po e respekton marrëveshjen e Bratislavës. Në prag të samitit të Berlinit në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e Zelesnkyt i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesin të integrimit në BE”, tha Kurti.

Për Kosovën sipas Kurtit, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

“Në takimet bilaterale dhe darkën e përbashkët, theksova se deeskalimi në katër komunat në veri është rezultat në një anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër, i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi”, shtoi Kurti.

“Kanë kaluar 2 muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme. Tani duhet parandaluar rieskalimi, kur nuk ka protesta të dhunshme të planifikuara e organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke e zbatuar dakordimin e arritur në Bratislavë, më 10 korrik të këtij viti”, deklaroi Kurti./Sinjali