Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalën e tij, Kurti provoi të tregonte se propozimi franko-gjerman, që ishte rrjedhojë e kornizës së përgjithshme, ishte rezultat i presionit të bërë nga Qeveria e saj.
“Josep Borrell për herë të parë në më shumë se dymbëdhjetë vjet dialog e bëri hapin e madh më 18 gusht të vitit të kaluar. Për herë të parë u vendos korniza e përgjithshme e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë… takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat i presionit të Qeverisë tonë”, tha Kurti.
“Më 9 shtator 2022 erdhën dy emisarë të lartë në Prishtinë. Ata prezantuan para meje një propozim të bazuar në njohjen de fakto. Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që të respektoj dy parime procedurale… 1) respektimin e parimit të konfidencialitetit; 2) që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që refuzimi i tij do të ndikonte në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet sponsorizuese (Francën dhe Gjermaninë)”, vazhdoi Kurti.
Kurti tha se kishte kuptuar që propozimi franko-gjerman bazohej në modelin gjermano-gjerman, që ngërthente njohjen de fakto. Përveç kësaj, ai përmendi se ky propozim ngërthente në vete edhe barazinë mes shteteve.
Si aspekt problematik ai përmendi detyrimin për të respektuar e zbatuar marrëveshjet e mëparshme.