Kryeministri Albin Kurti është takuar mëngjesin e sotëm me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Kurti dhe dy mysafirët e tij folën për tri komunat në veri të Kosovës pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe për dhunën e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupet ekstremiste serbe.
“U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”.
“U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj”.
Ai në fund i falënderoi dy diplomatët për interesimin e vazhdueshëm të Francës dhe Gjermanisë dhe për kontributin e tyre për Kosovën./Klan Kosova