Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën për Integritetin e Informacionit DISICON.
Në fjalën e tij, ai ka thënë se përveç sulmeve kibernetike, ka edhe lajme me histori të rrejshme të cilat sipas tij, për qëllim kanë deformimin e realitetit, njofton Klan Kosova.
“Unë besoj që e kemi një mbrojtje solide, por ende jo të mjaftueshme. Kemi pasur sidomos dy raste më të theksuara të sulmeve DIDOS dhe ja kemi dalë përkundër pengesave që na kanë shkaktuar. Nuk kanë arritur të depërtojnë dhe ta dëmtojnë sistemin”.
Kurti ka shtuar se Qeveria e Kosovës po merr mësime dhe prej rastit të Shqipërisë e cila është sulmuar në mënyrë kibernetike.
“Ka edhe sulme në kuadër të asaj që është lufta hibride – depërtimi me lajme të rrejshme dhe histori të rrejshme”.
“Pas invazionit rus në Ukrainë, problem janë edhe historitë e rrejshme. Ka deformim të historisë dhe kohërave që i kemi jetuar vetë ne. Për çdo jave dëgjojmë lajme që janë për të kaluarën dhe që ne e dimë se jam të rrejshme. Për shembull mohimi i krimeve”.
“Në njërën anë kemi sulmet kibernetike, në anën tjetër kemi sulmet për shtrembërimin e realitetit”, ka shtuar Kurti.