Kurti publikon emrat e organizatorëve kryesorë të trazirave në veri

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë mbledhur sot në një seancë të veçantë ku po diskutojnë rreth zhvillimeve të fundit në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, ku tash e pesë ditë qytetarët po protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve, kryeministri Albin Kurti, ka publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit.

Sipas tij, rolin kryesor në organizimin e protestuesve po e kryejnë anëtarë e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Këto protesta me gjithë dashakeqësinë na kanë shërbyer të bëjmë identifikime të vlefshme”, ka thënë ai në Kuvend.

Kurti ka përmendur të parin Milorad Jevtiqin. Ka thënë se është një nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal e se shtëpia e tij është “bazë qëndrimi për drejtuesit e strukturës ilegale”, të cilën e ka ndërlidhur me Listën serbe

Tutje ka përmendur Miçko Jevtiqin, Rajko Jevtiqin, Danilo Josifoviqin, Liljana Aksentijeviqin e Aleksandër Filipoviqin.
Kurti ka folur edhe për personat e maskuar. Sipas tij të gjithë udhëhiqen nga Filipoviqi. Ai ka thënë se më 29 maj, Filipoviqi e kishte rrahur një serb në Leposaviq.

Kurti ka përmendur si të maskuar edhe Nikola Axhiqin (hedhje koktej molotovi), Milan Zhijkoviqin, Danilo Krivokapiqin, Jovica Lazoviqin, Nikola Radomiroviqin, vëllezërit Stefan e Dejan Nedejlkoviq, Damjan Knezheviq.

Për sulme ndaj KFOR-it, Kurti ka përmendur edhe Vladimir Radivojeviqin, Daniel Gjukiqin, Milosh Gjukiqin, Milan Tomiqin, Milan Joviqin, Peter Milosheviqin, Dejan Jevtiqin, Nikola Baldinin, Milan Zhivkoviqin, Vuk Brankoviqin, Luka Vlaskoviqin, Bozhidar Todoroviqin dhe Radish Adenoviqin si dhe Daniel Shmigiqin.

Sipas Kurtit, në protesta ka pasur edhe tifozë të Crvena Zvezdës. Ai ka thën[ se janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, Radosh Mitroviq, Zhivojko Milintijeviq, Ivan Sekiliq e Sinisha Jevtiq.

“Është në dorën tonë fitorja e radhës për kushtetutshmëri. Policia ka nevojë për mbështetje, jepjani mbështetjen. Gabimin e Listës Serbe s’duhet ta paguajë Kosova, por ata vetë”, ka thënë në fund Kurti./Gazeta Sinjali