Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla janë takuar me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi.
Ky takim u zhvillua në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosova dhe Omani kanë raporte konstruktive, ndonëse nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Omanit ndaj vendit tonë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka njoftuar Al Busaidin për progresin ekonomik të Kosovës, si dhe për atë demokratik.
Në takim është folur për mundësitë që Kosova iu ofron investitorëve të huaj dhe Kurti u shpreh se dy vendet do të mund të përfitonin në fusha si partneritet ekonomik dhe tregtar, bashkëpunim kulturor e artistik si dhe në arsim e turizëm.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka ftuar ministrin omanez, së bashku me një delegacion të nivelit të lartë, për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Kjo ftesë iu bë për të parë dhe hulumtuar mundësi të reja bashkëpunimi.
Kosova nuk është anëtare e OKB-së.
Në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në OKB, nevojitet rekomandim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Asnjëri prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit nuk duhet ta përdor veton, dhe rekomandimi duhet t’i marrë votat e një shumice prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme.
Mirëpo, pjesë e kësaj pesëshe janë Kina dhe Rusia, shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.