Kushaj i SBAShK-ut krahason Qeverinë e Kosovës me atë të viteve të 90-ta (VIDEO)





Anëtari i këshillit grevist nga SBAShK-u, Reshit Kushaj, e ka krahasuar Qeverinë e Kosovës me atë të viteve të 90-ta për sa i përket çështjes së mësimdhënësve.

Kushaj në “Info Magazine” në Klan Kosova ka thënë se Qeveria Kurti po e nëpërkëmb dinjitetin e mësimdhënësve, njëjtë siç kishte bërë regjimi serb gjatë viteve të 90-ta.

“Krahasimi i kësaj qeverie është shumë i ngjashëm me atë të viteve të 90-ta sepse nëpërkëmbja e dinjitetit të mësimdhënësit është aty, ashtu siç po shihet derisa s’po reflekton qeveria që të realizojë një kërkesë minimale”.

“Në vitet e 90-ta kur e filluam mësimin në shtëpi-shkolla, nuk e kemi pyetur as Vuçiqin e as Millosheviqin për t’i vulosur ato diploma me të cilat shteti ynë vazhdonte të prezantohej jashtë rreth pavarësisë sonë, pa e mohuar edhe sakrificën për luftë që i kushtoi shumë popullit tonë”, është shprehur Kushaj, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se në të gjitha fushatat që janë zhvilluar deri më tani, sipas tij, prioritet gjithmonë ka qenë arsimi por në praktikë s’ka ndodhur asgjë.

“Çdo shtator, tash e disa vite mësimdhënësit tonë e presin me paga të njëjta. Vetëm premtime por nuk realizohet asgjë nga to”, është shprehur Kushaj, njofton Klankosova.tv. SHIH VIDEON