Kuvajti ka ndaluar shfaqjen e filmit të ri “Barbie”, ndërsa në Liban po vazhdojnë thirrjet për t’u ndaluar shfaqja e këtij filmi, pas kritikave në botën arabe për vlerat shoqërore të këtij filmi, raporton BBC.
Kuvajti ka vepruar për të “mbrojtur etikën”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve. Ministri i Kulturës i Libanit ka akuzuar filmin se “promovon homoseksualitetin”.
Mirëpo, filmi po shfaqet në shtetet konzervative në rajon, përfshirë edhe Arabi Saudite. Filmi ka arritur të hyra deri në 1 miliard dollar brenda pak javëve që kur ka nisur të shfaqet.
Lafi al-Subaiei, kreu i Bordit të Kuvajtit për klasifikim të filmit, ka thënë se Bordi zakonisht kërkon që skenat e filmit që shihen ji të përshtatshme për kulturën e vendit të hiqen.
Mirëpo, ka thënë se kur promovojnë një sjellje atëherë shteti e sheh të papranueshme dhe e ndalon menjëherë.
“Filmi promovon ide dhe besime që janë aliene për shoqërinë e Kuvajtit dhe rendin publik”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Kuvajtit për Informim.
Të mërkurën, Ministri i Kulturës i Libanit, Mohammad Mortada, ka kërkuar nga Ministria e Brendshme e vendit që “të merren të gjitha masat për t’u ndaluar filmi Barbie”.
Ai ka thënë se filmi promovon “homoseksualitetin dhe transseksualitetin”./Sinjali