Është publikuar lista e telefonave më të shitur në botë për gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe në të dominojnë dy kompani.
Edhe pse Samsung e dominon tregun global të telefonave të mençur dhe kompania koreano-jugore shet më së shumti pajisje celulare çdo vit, kur bëhet fjalë për modelet më të shitura në botë, situata është ndryshe. Sipas informacioneve të kompanisë analitike Omdia, lista e dhjetë telefonave më të shitur në botë për gjysmën e parë të këtij viti dominohet nga Apple.
Edhe pse janë pesë modele Apple dhe pesë Samsung në mesin e 10 telefonave më të shitur në botë, Apple dominon në krye të listës dhe katër telefonat e parë më të shitur në botë janë modelet iPhone. Është veçanërisht interesante dhe befasuese që në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, telefoni më i shitur në botë është iPhone 14 Pro Max, modeli më i shtrenjtë i Apple, çmimi i të cilit fillon nga 1100 dollarë. Gjatë kësaj periudhe janë shitur 26.5 milionë nga këto modele, ndërsa telefoni i dytë më i shitur është iPhone 14 Pro, shitjet e të cilit arritën në 21 milionë njësi.
Vitin e kaluar, situata ishte pak më ndryshe, dhe telefoni më i shitur në gjashtë muajt e parë të 2022 ishte iPhone 13, i cili shiti pothuajse 34 milionë njësi, ndërsa iPhone 13 Pro Max ishte në vendin e dytë me 23 milionë njësi të shitura, dhe iPhone 13 Pro me 14.8 milionë njësi të shitura, ishte në vendin e katërt.
Telefoni i tretë më i shitur këtë vit është iPhone 14 (16.5 milionë njësi), dhe iPhone 13 është ende shumë i popullarizuar dhe është në vendin e katërt me 15.5 milionë njësi të shitura. iPhone tjetër në këtë listë është modeli iPhone 11 dhe është në vendin e dhjetë me gati 7 milionë njësi të shitura. Prandaj, të gjitha vendet e tjera janë të zëna nga telefonat Samsung. Në vendin e pestë është Galaxy A14 (12.4 milionë njësi të shitura), në vendin e gjashtë është Galaxy S23 Ultra (9.6 milionë), i ndjekur nga Galaxy A14 5G, Galaxy A54 5G dhe Galaxy A34 5G.
Omdia thotë se ka pasur një rënie në tregun e telefonave të mençur kohët e fundit dhe kjo vlen veçanërisht për tregun e pajisjeve të nivelit të ulët dhe të mesëm që u goditën më shumë nga recesioni, por një nga arsyet e rënies së shitjeve qëndron në zgjerimin e tregut të telefonave të përdorur. Nga ana tjetër, kërkesa për modelet premium është rritur, gjë që më së miri mund të shihet në faktin se modeli më i shtrenjtë i Apple është telefoni më i shitur në botë, dhe po ashtu renditet lartë modeli më i fortë i Samsung, S23 Ultra.
Do të jetë interesante të shihet se cila do të jetë kërkesa për telefonat e ardhshëm Apple dhe kjo kompani së shpejti do ta prezantojë një gjeneratë të re të iPhone. Edhe pse pritshmëritë janë gjithmonë të larta, Apple paralajmëroi për një rënie të kërkesës në tregun e telefonave të mençur, gjë që mund të ndikojë edhe në shitjet e modeleve nga seria iPhone 15, por ata ende kanë pritshmëri të mëdha për modelin e tyre më të fortë dhe më të shtrenjtë, iPhone 15 Pro Max./Omdia