Ky ushqim përmban pak kalori, përshpejton metabolizmin dhe përmirëson tretjen

Misri është një nga ushqimet e preferuara të stinës i cili jo vetëm që është shumë i shijshëm dhe i lehtë për t’u përgatitur, por sjell edhe shumë përfitime për shëndetin tonë nëse e konsumojmë rregullisht.

Siç shpjegojnë nutricionistët, misri përmban pak kalori dhe sasi të mëdha karbohidratesh, aminoacide, vitamina B, acid folik, niacinë, fosfor, kalium dhe magnez, transmeton WebMD.

Pikërisht për këtë këshillohet që këtë ushqim ta hamë sa më shpesh, përcjell Index.hr.

Falë vlerave të shumta ushqyese, konsumimi i misrit ka shumë përfitime. Një prej tyre është ulja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe sistemit të qarkullimit të gjakut. Siç shpjegojnë ekspertët, ky ushqim është një burim i shkëlqyer i kaliumit, një substancë thelbësore që ndihmon në rregullimin e sistemit të qarkullimit të gjakut duke ruajtur qarkullimin e duhur të gjakut dhe funksionin e fortë të zemrës.

Misri përmban gjithashtu luteinë, një karotenoid i ngjashëm me vitaminën A që gjendet më shpesh në fruta dhe perime. Është i njohur për reduktimin e rrezikut të degjenerimit makular, kataraktit dhe shumë sëmundjeve të tjera të syrit. Po kështu, konsumimi i misrit kontribuon në një shëndet më të mirë të tretjes.

Arsyeja është se ky ushqim sezonal është i pasur me fibra dietike, të cilat janë thelbësore për të mbajtur një mënyrë jetese të shëndetshme dhe ofron shumë përfitime të tjera, si rregullimi i lëvizjeve të zorrëve, menaxhimi i niveleve të sheqerit në gjak dhe përshpejtimi i metabolizmit, gjë që ndihmon në humbjen e peshës.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është fakti se konsumimi i rregullt i misrit ul rrezikun e demencës, dhe veçanërisht të sëmundjes së Alzheimerit. Përkatësisht, ai përmban antioksidantin kuercetin, për të cilin studiuesit besojnë se mund të ketë një efekt mbrojtës kundër këtyre sëmundjeve. Quercetin thuhet se mbron qelizat neuronale dhe redukton neuroinflamacionin, duke reduktuar potencialisht incidencën e demencës, transmeton Klankosova.tv.