Elita e futbollit spanjoll raportohet se po shpreson që ta zhvendosë përballjen mes Barcelonës dhe Atletico Madridit në ‘Hard Rock Stadium’ gjatë muajit dhjetor.
Në një lëvizje dramatike, La Liga raportohet se po synon të bëhet liga e parë e cila zhvillon një ndeshje në Amerikë, sipas Daily Mail.
Sidoqoftë, presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka folur rreth kësaj mundësie duke shpjeguar ndikimin që do të kishte në ekonominë e kampionatit.
“Nuk varet vetëm nga ne, por nëse jemi në gjendje ta bëjmë, do ta bëjmë. Ideja është që ta bëjmë sa më parë që të jetë e mundur. Nuk do të vendos ndonjë datë, por jemi duke punuar për të”.
“Skuadrat që do të marrin pjesë do ta bëjnë vullnetarisht. Unë nuk do të vendos për atë aspekt. Ne duhet të gjejmë një datë të mirë në kalendar, por do të përpiqemi ta bëjmë në Miami. Nuk do ta bëjmë një xhiro të tërë, por vetëm një ndeshje (për sezon) kjo është e tëra”, ka thënë fillimisht Tebas.
“Gjithmonë do të ketë njerëz kundër një ideje. Ne do të përpiqemi që të dhurojmë zgjidhje për ata që zakonisht shkojnë në stadium. Do të përpiqemi të jemi didaktikë në shpjegime”.