Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të konsiderohen si vende udhëheqëse në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por, në rrethanat ekzistuese, vetëm Mali i Zi mund të shpresojë për anëtarësim të plotë deri në fund të kësaj dekade.
Ky vend ka marrë Raport pozitiv të Vlerësimit të Standardeve nga BE-ja, ndërsa Serbia vazhdon të mos u bashkohet sanksioneve të bllokut kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Nga perspektiva e Brukselit, kjo bën që Mali i Zi të shihet si anëtar i parë i ardhshëm i BE-së.
Fazat ku këto dy vende janë tani në procesin e anëtarësimit, janë thelbësisht të ndryshme.
Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.
Mali i Zi, në anën tjetër, i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.
Ndarja e Malit të Zi nga Serbia
Serbia dhe Mali i Zi, jo zyrtarisht, janë trajtuar në grup, përkatësisht si dy vendet më të avancuara në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Me narrativin e Brukselit, ato janë quajtur “lidere” në procesin e anëtarësimit.
Por, pasi Mali i Zi ka rinisur procesin e negociatave në qershor, ndërsa Serbia nuk tregon shenja se do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe në këtë mënyrë t’i “shkrijë” negociatat, e ashtuquajtura “ndarje” mes tyre ndodh natyrshëm. Dhe, aktualisht, ka vetëm një lider drejt anëtarësimit në BE dhe ai është Mali i Zi.
Jana Juzova, nga Instituti për Politika Evropiane – EUROPEUM, thotë se Serbia ka ende një rrugë të gjatë përpara, për të treguar se përpiqet realisht të bëjë reforma demokratike.
“Për shkak të rrugës që po kalon Serbia në aspektin e performancës demokratike dhe marrëdhënieve me Rusinë, mendoj se, aktualisht, nuk ka asnjë argument për ‘bashkimin’ e Malit të Zi dhe Serbisë”, thotë Juzova.
“Nëse elita qeverisëse më prodemokratike dhe më properëndimore do të shfaqeshin në Serbi dhe vendi do ta përshpejtonte ritmin e reformave, atëherë situata do të mund të ndryshonte dhe ndoshta do t’i kishim përsëri dy lidere”, shton ajo.
Në “garën” e kandidatëve për integrimin evropian, Serbia, sipas saj, është shndërruar në një “fëmijë problematik” në Ballkanin Perëndimor.
Mali i Zi në BE më 2028 – një opsion i mundshëm dhe optimist
Ekspertët e Komisionit Evropian nuk e përjashtojnë mundësinë që Mali i Zi, me vullnet politik, t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë dy vjetëve të ardhshëm, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të plotë në BE deri në fund të kësaj dekade.
Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit, Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026.
Sipas këtij plani, Mali i Zi mund t’i mbyllë katër kapituj të negociatave këtë vit, gjashtë kapituj janë planifikuar të mbyllen gjatë vitit 2025 dhe të gjithë kapitujt e mbetur gjatë vitit 2026.
“Koha e parashikuar për mbylljen e përkohshme të kapitujve pasqyron vlerësimin e Komisionit Evropian për kompleksitetin e arritjes së asaj faze. Afatet reale do të varen nga rezultatet e ofruara nga Mali i Zi dhe pikëpamjet e shteteve anëtare dhe mund të ndryshojnë nga tre deri në gjashtë muaj, me përjashtim të atyre kapitujve që janë planifikuar të mbyllen në fund të vitit 2026, që është afati politik për mbylljen e negociatave”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian që ka parë Radio Evropa e Lirë.
Sipas këtij plani dhe në rrethanat më ideale, Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.
Periudha hipotetike ndërmjet viteve 2026 dhe 2028 – pra ndërmjet përfundimit të negociatave dhe anëtarësimit të plotë – është e nevojshme, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian – 27 prej tyre – ta ratifikojnë marrëveshjen e anëtarësimit në parlamentet e tyre kombëtare.
“Mali i Zi i ka shanset më të mira nëse e ruan vrullin e sapopërfituar dhe tregon rezultate bindëse në zbatimin e shtetit të së drejtës dhe të reformave demokratike”, thotë Juzova.
KE-ja më e kujdesshme me datat, por nuk e përjashton vitin 2028
Gert Jan Kopman, drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, beson se anëtarësimi i Malit të Zi në BE deri në vitin 2028 është “real”, nëse Podgorica zyrtare angazhohet seriozisht.
Në reagimet zyrtare, zyrtarët e Komisionit Evropian janë më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për datat.
Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian tha se presidentja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen tashmë ka konfirmuar se zgjerimi do të jetë prioritet në mandatin e saj të ardhshëm dhe se Komisioni është duke punuar për të përshpejtuar punën dhe për të përshpejtuar integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor.