Më shumë se 70% e qytetarëve të Serbisë nuk kanë fare ose kanë shumë pak besim tek policia, ndërsa 41.7% e të anketuarve besojnë se policia kryesisht mbron interesat e partive politike, tregojnë rezultatet e një sondazhi të opinionit publik të kryer nga Shoqata Profesionale e Policisë “Dr. Rudolf Arçibald Rajs”.
Sondazhi zbuloi se vetëm 6.1% e të anketuarve kanë besim në polici, ndërsa gati 72% e qytetarëve mendojnë se politikanët kanë ndikim të plotë mbi punën operative të policisë.
“Të anketuarit kanë shprehur shqetësim për ndikimin politik, praninë e korrupsionit dhe mungesën e dukshme të policisë në terren. Gjithashtu, një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve vlerëson se komunikimi i policisë me publikun gjatë situatave të krizës nuk është në nivelin e duhur,” thuhet në deklaratën e shoqatës.
Sipas rezultateve të sondazhit, 37.8% e të anketuarve besojnë se policia kryesisht mbron interesat e Qeverisë së Serbisë, ndërsa 9.4% mendojnë se ajo mbron vetëm interesat e zyrtarëve të saj më të lartë.
Kur u pyetën për profesionalizmin e policisë, 55.6% e qytetarëve deklaruan se policët janë vetëm herë pas here profesionalë.
Sondazhi gjithashtu tregoi se 74.7% e qytetarëve e shohin korrupsionin si një problem madhor në polici, ndërsa 67.4% e të anketuarve e vlerësojnë bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve si të dobët ose shumë të dobët.