Mbrojtësi braziliani i Tottenham shpenzoi gati një milion euro në pajisje që të përshtatet në lojën e Contes





Futbollisti brazilian i Tottenham, Emerson Royal shpenzoi pothuajse një milion euro për t’u përshtatur me lojën e Antonio Contes.

Trajneri italian në bankinën e Tottenham është i njohur për mënyrat e tij radikale të punës dhe videot e tij stërvitore janë bërë hit në rrjetet sociale pasi yje të tillë si Harry Kane dhe Heung-Min Son, shiheshin të rraskapitur pas distancave të gjata të vrapimit.

Për t’iu përshtatur gjithë kësaj, futbollisti brazilian Emerson Royal investoi shumë para në blerjen e pajisjeve dhe punësimin e ekspertëve për ta ndihmuar në këtë situatë.

Në total, braziliani shpenzoi rreth 920,000 euro për përshtatjen me mënyrën e punës së Contes. Ai shpenzoi shumë para për dhomën hiperbarike Vitaeris 320, e cila i ngjan një shtrati dhe ndihmon përdoruesin të marrë më shumë oksigjen për rikuperim më të shpejtë.

Dhoma e oksigjenit i jep lojtarit një gjendje më të mirë fizike për sprintet në fushë që kërkon Conte gjatë 90 minutave në të djathtë, për të cilat është Emerson përgjegjës.

Më pas, Emerson punësoi një skaut që e stërvit sipas shembullit të Achraf Hakimit, një futbollist që nën drejtimin e Antonio Contes tregoi se duhet të luante në pozicionin e “mbrojtësit të krahut” dhe që shkëlqeu te Interi duke bashkëpunuar me këtë specialist.

Emerson punësoi gjithashtu Dr. Fabian de Abreu Agrelo, një neuroshkencëtar dhe ekspert i sjelljes njerëzore, për ta ndihmuar atë të përqendrohet në paraqitjet e tij dhe të shqetësohet më pak për gjërat që e largojnë mendjen e tij nga fusha.

Kjo është pikërisht arsyeja pse Conte i beson kaq shumë lojtarit. Edhe pse tifozët e Tottenhamit ishin të zhgënjyer me paraqitjet e tij pas ardhjes së tij nga Spanja, përkushtimi i Emerson në ndeshje dhe stërvitje iu imponuan Contes dhe nga 19 ndeshjet e fundit, ai filloi nga minuta e parë në 18 prej tyre.