Muaji korrik, përveç fokusimit te për gatitjet për sezonin e ri, i bën të gjitha ekipet të punojnë edhe në aspektin e merkatos. Pa dyshim që çdo skuadër në shumicën e rasteve kërkon përforcime, sepse teoria e tyre është edhe përmirësimi dhe ecja para si klub.
Në këto ditë të nxehta, teksa kampionatet nuk kanë filluar ende, një numër i konsiderueshëm i kuqezinjve janë bërë pjesë e kësaj merkatoje, dikush duke mbyllur transferimin dhe dikush duke u kërkuar nga ekipe të ndryshme. Të gjithë biem dakord që deri tani, Kristjan Asllani ishte “ylli” i verës, duke kaluar për një shifër prej 16 milionë eurosh nga Empoli tek Interi dhe duke u bërë si lëvizja e dytë më e shtrenjtë në ekipin kombëtar pas asaj të Marash Kumbullës, që kaloi nga Verona te Roma për 26.5 milionë euro me gjithë bonuse.
Pas Asllanit, i cili do të luajë për zikaltrit, ishte Xhakomo Vrioni që sapo u kthye si golashënues nga Tiroli i Austrisë te Juventusi, u shit menjëherë në një kampionat të largët, MLS-ja amerikane. “Zonja e Vjetër” përfitoi rreth 4 milionë euro nga Nju Inglandi. I treti dhe i fundit nga lojtarët e Kombëtares që ka pasur një kosto transferimi është Ylber Ramadani, për shërbimet e të cilit skocezët e Aberdinit paguan 120 mijë euro te MTK Budapesti.
Por patjetër që ka pasur edhe lëvizje të tjera të kuqezinjve, që në total janë 10 futbollistë të cilët kanë ndryshuar ekip ose 30% e organikës. Rei Manaj kaloi tek Uotfordi nga Barcelona, portieri Tomas Strakosha u largua si lojtar i lirë pas 10 vitesh nga Lacio dhe nënshkroi me Brentfordin në Premier Ligë. Ekip ndërruan edhe Odise Roshi me Bekim Balajn, por gjithsesi mbetën në Turqi. Po ashtu Lenjanin, Prengën dhe Hoxhallarin do t’i shohim me një fanellë tjetër.
TË PALËVIZSHMIT – Sigurisht që në organikën e Kombëtares, duke iu referuar vitit të fundit, 27 lojtarë nga 37 gjithsej nuk kanë lëvizur deri tani nga ekipi aktual.
Edhe pse emrat e disave prej tyre diskutohen në merkato, si Broja, Kumbulla, Bajrami apo edhe Seferi, deri tani asgjë nuk është zyrtare. Ndërkohë, po t’i hedhësh një sy listës të këtyre lojtarëve, shohim që Berat Gjimshiti është lojtari më i qëndrueshëm te një skuadër, duke qenë pjesë e Atalantës që prej vitit 2016.