Messi do të largohet nga PSG-ja në fund të sezonit

Lionel Messi do të largohet nga Paris Saint-Germaini në verë, pasi do t’i skadojë kontrata me skuadrën franceze. Fituesi i Kupës së Botës nuk ka arritur marrëveshje për ta vazhduar qëndrimin në kryeqytetin francez edhe për një vit tjetër. Messi nuk është i bindur se PSG-ja mund të luftojë për trofetë kryesorë në Evropë për shkak të telasheve financiare, ndërsa kampioni francez dëshiron që të fokusohet në zhvillimin e talenteve. Messi pati nënshkruar kontratë dyvjeçare me PSG-në në vitin 2021, me opsionin e rinovimit të kontratës edhe për një vit tjetër. Por kjo nuk do të realizohet.

Mësohet se babai i tij, Jorge Messi, e ka informuar javën e kaluar për këtë situatë Luis Camposin. Campos është këshilltar i futbollit në klubin francez. 35-vjeçari u suspendua nga PSG-ja për dy javë të martën pasi udhëtoi në Arabinë Saudite pa lejen e klubit. Për Messin ka pasur interesim edhe nga Inter Miami i ligës MLS nhë Amerikë. Por, ai beson se është në gjendje që të luajë edhe për një edicion në nivelin më të lartë të futbollit evropian. E synon ta fitojë edhe trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve. Ai mund të kthehet te Barcelona. Me Barcelonën, Messi ka zhvilluar 778 ndeshje, kurse ka shënuar 672 gola në total.

U largua nga Barça në vitin 2021 për shkak të problemeve financiare. Messi ka shënuar 31 gola dhe ka kontribuuar me 34 asistime në 71 ndeshje në të gjitha garat për PSG-në, ndërsa në sezonin e kaluar e fitoi titullin në Francë. Do të mungojë në duelet kundër Troyesit dhe Ajaccios në Ligue 1. PSG-ja është afër që ta fitojë trofeun e 11-të të kampionatit francez. Messi është favorit për ta fituar “Topin e Artë” për herën e tetë në muajin tetor, pasi e fitoi Botërorin me Argjentinën në dhjetor të vitit të kaluar. Raporton Koha.net