Një ditë pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, detaje të reja mësohen në lidhje me faktin se çfarë pritet të ndodhë me ish-kreun e shtetit.
Sipas raportimeve në media, Meta nesër pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme (GJKKO), për konfirmim të masës së sigurisë, “arrest me burg”.
Në të kaluarën e tij, Meta ka mbajtur pozicionet më kyçe në shtetin shqiptar, duke përfshirë detyrat e Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Arrestimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Marrëdhëniet e Meta-s me SPAK kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur përplasje publike me kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar strukturën për manipulime politike dhe zbatim urdhrash nga kryeministri aktual, Edi Rama.
Meta ka paraqitur deklarime në SPAK për disa çështje, përfshirë ato që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe korrupsionin. Ndërkohë, shoqëria shqiptare pret një konfirmim zyrtar nga SPAK për akuzat e sakta që rëndojnë mbi të. /Telegrafi/