Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet në Republikën e Serbisë ka kërkuar që të anulohet konkursi i shpallur nga Këshilli Kombëtar me fonde të Kosovës i dedikuar për Bujqit shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Kjo kërkesë nga Ministria vie disa ditë pas ankesës së bërë nga Alternativa për Ndryshim e cila ishte ankuar për këtë vendim.
Nevzadi përmes facebook-ut ka njoftuar për vendimin e ministrisë duke treguar se nuk do ta shfuqizojnë deri në konsulltimet me Qeverinë e Kosovës.
Ky është njoftimi i Nevzad Lutfiut:
Të nderuar qytetarë shqiptarë!
Pas përgjigjes tonë lidhur me konkursin për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës, dje në ora 15:36 na ka ardhur kundërpërgjigja nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd.
Ministria në fjalë kërkon që konkursi të anulohet (të shfuqizohet vendimi i KKSH-s), nëse ne nuk e shfuqizojmë këtë vendim atëherë atë do ta bëj vet Ministria, me preteksin se vendimi është i jashtëligjshëm thuhet në kundërpërgjigjen e Ministrisë.
Vendimin nuk e shfuqizojmë, ndërsa pas konsultimit me Qeverinë e Kosovës do të njoftoheni me hapat e mëtutjeshëm.
Serbia e cila shkel ligjet e veta kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve, ajo e cila po bën spastrim etnik.
Serbia, e cila për një koment në facebook e dënoi shqiptarin me një muaj paraburgim dhe me qindra mijëra dinar, nuk ndërmori të njëjtin veprim kur një qytetar serb kërkoi zola (granata hedhës dore) për ta bombarduar ndërtesën e KKSH-s.
Serbia e cila autorët e Banjskës po i mban të lirë, po e konsideron të jashtëligjshëm një vendim (krejt transparent) të Këshillit Kombëtar Shqiptar për t’i mbështetur familjet shqiptare të Luginës së Preshevës e që për pjesën më të madhe të tyre bujqësia është veprimtaria kryesore e ekzistencës së tyre, e që për më tepër bëhet fjalë për një donacion, e jo nga mjetet e rregullta të Këshillit.
Ata që e inicuan këtë çështje, përtej dallimeve politike, KURRË nuk kisha dashur t’i shoh në këtë rrugë.