Ministrja e Shqipërisë: Viti 2022 u mbyll me 7.5 milionë vizitorë, pa numëruar kosovarët

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, ka thënë se sezoni turistike atje ka nisur më herët sesa vitin e kaluar.

Sipas saj, shifrat e këtij viti janë surprizuese që në javët e para, teksa tha se viti që shkoi u mbyll me 7.5 milionë turistë të huaj.

“Viti 2022 u mbyll me 7.5 milionë vizitorë të huaj, me pasaporta joshqiptare. Nuk mund të llogarisë mysafirët prej Kosove, për shkak se në bazë të marrëveshjes mes dy qeverive që nga mesi i vitit të kaluar kalimi në Morinë kryhet pa regjistrime”, tha Kumbaro në Klan Kosova.

Ajo tha se Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora e Saranda janë vendet më të frekuentuara nga turistët nga Kosova, teksa shtoi se tashmë hov të madh të zhvillimit ka marrë edhe agro-turizmi.

“Turizmi po shtrihet gjeografikisht në gjithë Shqipërinë. Shtimi i ofertës agro-turistike që është ofertë e viteve të fundit ka tërhequr shumë turistët në thellësi të vendit duke shtuar numrin e vizitorëve që vijnë edhe për natyrën, lumenjtë, pyllin e ushqimin”, tha Kumbaro./Insajderi