Mobilizohet Policia në veri, u zgjatet orari njësive speciale

Afrimi i ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, ka bërë që Policia e Kosovës të rrisë gatitshmërinë.

Pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, siç mëson gazeta online Reporteri.net po punojnë me orar më të zgjatur. Ata ka pesë ditë që janë kthyer në orarin 48 orësh.

Burime të gazetës Reporteri.net brenda autoriteteve të sigurisë bëjnë të ditur se pjesëtarët elitarë të Policisë së Kosovës nga data 20 mars po punojnë nga 48 orë. Reporteri gjatë të hënës e ka pyetur zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani nëse mund ta konfirmonte këtë, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Ditë më parë kyeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe se gjithçka është nën vëzhgim. Sipas tij, këto institucione përgjegjëse po i informojnë edhe partnerët e vendit për sigurinë.

“Kur ka situata të këtilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake afrohen afër kufirit, ne i përcjellim me vëmendje nëse po synojnë ta kalojnë kufirin. Janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë. Në ndërkohë, natyrisht që këto institucione diskutojnë, bashkëbisedojnë dhe njoftojnë partnerët tonë ndërkombëtarë. Edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE-në ma lart”, tha Kurti të premten para gazetarëve.

Kjo nuk është hera e parë që policët e njësive speciale punojnë me orare të stërzgjatura. Sa herë që ngriten tensionet në pjesën veriore ata detyrohen të punojnë madje deri në 72 orë.