MPB-ja reagon pas lëndimit të një polici në Zveçan: Kriminelët do të identifikohen

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas lëndimit të një polici në Zveçan, pasi veturat e Policisë u sulmuan nga një grup personash të maskuar.

Derisa e ka quajtur sulmin kriminal, MPB-ja ka thënë se sot Policia është sulmuar dy herë nga grupe të maskuara kriminale.

Përmes një postimi në Facebook, MPB-ja ka thënë se në të dy rastet, nga të cilat janë dëmtuar 2 automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak. Përkundrazi, ka vigjilencë të shtuar të Policisë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar çdo eskalim të mundshëm.

“Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë. Sulmet e tyre po rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve në veri të vendit. Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi”, ka thënë MPB-ja./Koha.net