Ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqipëtar Ragmi Mustafi sot ka reaguar ndaj diskriminit të nxënësve tv shkolave të mesme të cilët kanë filluar vitin shkollor në mungesë të teksteve në gjuhën shqipe.
Mustafi ka theksuar se “Në shkollat e mesme hyjnë në klasa pa libra. Pa tekste në gjuhën e tyre amtare. Pa të drejtën që është elementare. Dhe kjo nuk është rastësi. Ky është diskriminim i qëllimshëm”.
Ai ka theksuar se edhe nxënësit shqipëtar meritojnë libra shqip dhe kanë të drejtv të arsimohen në gjuhën e tyre amtare”Nxënësit shqiptarë në Luginë meritojnë libra shqip, njësoj si nxënësit serbë në Kosovë i kanë librat në gjuhën e tyre. Sepse arsimi është barazi. Dhe barazia nuk është luks. Nuk është privilegj. Është e drejtë”.
Ky është reagimi i Mustafit në rrjetet sociale:
“ASNJË LIBËR SHKOLLORË NË GJUHËN SHQIPE PËR SHKOLLA E MESME NË LUGINË.
Sot është 1 shtatori. Dita e parë e shkollës. Fillimviti shkollor.
Në çdo fshat e qytet, zilet bien, bankat mbushen, fëmijët hapin librat. Por jo të gjithë në Luginë. Jo për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Sepse në shkollat e mesme hyjnë në klasa pa libra. Pa tekste në gjuhën e tyre amtare. Pa të drejtën që është elementare. Dhe kjo nuk është rastësi. Ky është diskriminim i qëllimshëm. Kjo është një politikë e strukturuar, që përsëritet vit pas viti.
Si ka mundësi që në Serbi, librat në gjuhën serbe shtypen e shpërndahen me kohë, por librat në shqip për shkollat e mesme mungojnë? Si ka mundësi që në Kosovë, nxënësit serbë i kanë librat e tyre në gjuhën amtare, nga shteti i Serbisë, ndërsa nxënësit shqiptarë në Serbi nuk i kanë librat shqip për shkollat e mesme? Si ka mundësi që një standard i dyfishtë, kaq i qartë, kaq i hapur, vazhdon të tolerohet nga institucionet e Serbisë dhe të injorohet nga ndërkombëtarët?
Shkolla nuk është sallë politike. Nuk është fushë pazari. Nuk është plaçkë elektorale. Shkolla është tempulli i dijes. Ai është vendi ku fëmijët mësojnë barazinë, drejtësinë, lirinë. Por kur librat mungojnë vetëm për nxënësit shqiptarë, atëherë arsimi shndërrohet në mjet diskriminimi.
E dini çfarë po ndodh? Bankat po zbrazen. Nga viti 2020/21 deri në 2025/26, numri i nxënësve shqiptarë ka rënie prej 10% filloristët dhe në të mesme arrin në 20%. Çdo shifër është një fëmijë më pak. Çdo fëmijë më pak është një bankë e zbrazët. Çdo bankë e zbrazët është një e ardhme e këputur. Dhe nëse ky trend vazhdon, pas një dekade, korridoret e shkollave shqipe në Luginë do të jenë gjysmë bosh.
Por, të mos gabohemi: zbrazja nuk është e natyrshme. Nuk është biologji. Nuk është rastësi. Është politikë. Është emigrim i detyruar. Është pasivizim adresash. Është mosnjohje diplomash. Është pasiguri ekonomike. Është një politikë që synon të shkretojë bankat, të shterojë klasat, të rrënojë arsimin shqip.
Nxënësit tanë nuk kërkojnë më shumë se sa barazi. Nuk kërkojnë dhuratë. Ata kërkojnë të drejtën e tyre. Dhe kjo e drejtë nis me librin shqip në dorën e çdo nxënësi shqiptar.
Sepse Ministria e Arsimit në Beograd nuk i sheh fëmijët shqiptarë si qytetarë të barabartë. Sepse Trupi Koordinues është më shumë instrument propagande sesa zgjidhjeje reale. Sepse Administrata Shkollore në Vranjë prodhon barriera të pafundme burokratike, sa herë që afrohet miratimi i një teksti. Sepse shkollat janë shndërruar në terren pazari politik, ku emërimi i një drejtori ka më shumë peshë sesa sigurimi i një libri.
Dhe atëherë, kush i siguron librat që janë aprovuar? Kosova.
Është Kosova ajo që financon librat shkollor për çdo nxënës shqiptar në Luginë. Është Kosova që e mban gjallë arsimin shqip atje ku Serbia përpiqet ta shuajë. Është Kosova që mbulon koston, që paguan faturën, që e çon librin shqip në dorën e fëmijës shqiptar.
Nxënësit shqiptarë në Luginë meritojnë libra shqip, njësoj si nxënësit serbë në Kosovë i kanë librat në gjuhën e tyre. Sepse arsimi është barazi. Dhe barazia nuk është luks. Nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe është detyrim.
Pa libra shqip, nuk ka arsim të barabartë.
Pa arsim të barabartë, nuk ka shoqëri të drejtë.
Pa drejtësi, nuk ka paqe.
Ky është mesazhi i 1 shtatorit. Dita e parë e shkollës nuk është vetëm fillimviti i nxënësve. Është testi i parë i shtetit. Dhe Serbia, për fat të keq, edhe këtë vit dështoi.
(Këshillit Kombëtar Shqiptar falënderimet përzemërta që përkujdeset secili nxënës i shkollës fillore të paiset me tekstet mësimore të cilat sigurohen përmes financimit të Qeverisë së Republikës të Kosovës)”