Muzikë Sonte nis Eurovision 2025 – Shqipëria performon në gjysmëfinalen e parë

Bëhet e ditur se gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 21:00, në Bazel të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Zvicra u bë mikpritës i konkursit pasi vitin e kaluar në Malmo Nemo fitoi me këngën “The Code”.

 

Eurovisioni mbahet në St. Jakobshalle dhe prezantueset e ceremonisë janë Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.

Vlen të theksohet se në garë janë 37 vende.

Zvicra dhe Pesëshja e Madhe (Big 5) e përbërë nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe tashmë janë të kualifikuara për finalen e 17 majit.

Vendet e mbetura janë planifikuar për gjysmëfinalet e para dhe të dyta, të cilat zhvillohen sonte, më 13 maj, dhe të enjten, më 15 maj.